Sot u bën 22 vjet qëkur NATO nisi bombardimet ndaj objektivave ushtarako-paramilitare serbe të Millosheviqit në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për t’i dhënë fund gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.
Procesi u miratua në KS të OKB-së, pas dështimit të konferencës së Rambujesë, në të cilën Millosheviqi refuzoi të tërhiqte trupat ushtarake, paramilitare dhe policore nga Kosova.
Në fakt, marrëveshja parashihte që Serbia të kishte në Kosovë 4000 forca policore, të cilat do të kontrolloheshin nga misioni i OKB-së.
Por, meqë Millosheviqi nuk u dorëzua, NATO-ja nuk kishte alternativë tjetër pos bombardimeve…
24 marsi i vitit 1999 është ditë të cilën e mbajnë mend të gjithë shqiptarët që kanë jetuar në atë kohë…
Ç’thotë Sedat Mujaj për këtë datë historike?
Duke e kujtuar 24 marsin 1999, Sedat Mujaj, nga Lipjani, thotë:
“Mbaj mend mirë çdo detaj të fillimit të bombardimeve. Ishim tubuar të gjithë fqinjët në një oborr që kishte pikë të lartë gjeografike, nga shihej rrafshi i Lipjanit.
Kishim edhe dylbi, për të parë nëse vinin serbët për të na sulmuar. Besim nuk kishim në serbët, sepse kishin ndodhur shumë masakra dhe akte çnjerëzore mbi shqiptarët.
Ishim bashkë: unë, babai im – Ismeti i ndjerë, axha Shet, tash i ndjerë, Dani, Njaziu dhe shumë fqinjë të tjerë.
Në mbrëmje, në fshatrat Dobratin dhe Gushtericë, kemi parë predha që hidheshin në drejtim të Lipjanit.
Pas pak ndodhi një krismë e madhe dhe u dridh edhe toka nën këmbët tona… Ishte bombarduar kazerma ushtarake afër Aeroportit të Prishtinës.
Kemi brohoritur nga gëzimi… Dhe, atë natë menduam se me ato krisma edhe do të merr fund gjithçka…
Por, në fakt, prej asaj nate, serbët u konsoliduan në terren dhe bënë shumë masakra mbi popullsinë civile shqiptare”.
Ç’thotë Blerim Tasholli nga Gadimja?
Blerimi, tash rreth të pesëdhjetave, shpjegon një moment tjetër të 24 marsit 1999:
“Kur krisën bombat e NATO-s mbi kazermat te Aeroporti i Prishtinës, ne veç ishim mbi majën e kodrës në “Murtur”, për të parë flakën që dilte gjithandej…
Bombardimet vazhduan, por atë natë nuk më zuri gjumi nga gëzimi…
Po atë natë kishte rënë në pritë Ismet Asllani, komandant i logjistikës së UÇK-së për Gallap.
Ditëve të tjera në shitoret që ndodheshin në fshatin tonë nuk kishte çfarë të blihej, sepse raftet ishin boshatisur…”. Safet Krivaça /Kosovarja/