Qeveria në detyrë mbrëmë ka marrë masa shtesë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Me masat e reja, çdo qytetar do të ketë të drejtë të lëvizjes vetëm për 90 minuta. Por, kundër këtyre masave po deklarohen bujqit. Ata thonë se nuk janë kontaktuar fare para marrjes së këtyre masave, derisa shtojnë se dalja e tyre në ara nuk e rrezikon askënd.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, ka thënëse bujqit nuk janë konsultuar fare për këto masa.
Ai ka kërkuar një zgjidhje sa më të shpejt për këtë çështje.
Sipas tij, me daljen e tyre në ara, bujqit nuk e rrezikojnë shëndetin e askujt.
Ai ka propozuar që bujqit të cilët janë të angazhuar në mbjellje, të pajisen me leje të veçanta.
Për këto masa ka reaguar edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa e ka pyetur Qeverinë në detyrë se si do t’i mbjellin arat bujqit kur nuk guxojnë të dalin nga shtëpitë.
“A ka Qeveria në detyrë përgjigje, si do t’i mbjellin arat e tyre bujqit, kur ata nuk guxojne te dalin nga shtepia?”, ka shkruar Mustafa.
Ndryshe, mbrëmë është bërë me dije se çdo qytetar, nga data 15 prill 2020 së paku deri më 3 maj 2020, do të ketë të drejte të lëvizjes vetëm për 90 minuta gjatë orarit të përcaktuar në bazë të numrit të parafundit të numrit personal.
Kushdo që nuk i respekton këto masa, mund të dënohet me gjobë prej 1 mijë deri në 8 mijë euro.
“Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.