Një studim i ‘World Vision Albania’ zbulon se vetëm 1 në 10 burra e ndihmon bashkëshorten në rritjen e fëmijëve.Organizata jo-fitimprurëse “World Vision Albania” përmbylli dhe publikoi javën e kaluar një studim i cili shërben si analizë mbi marrdhënien nënë-fëmijë dhe faktorët që ndikojnë në fuqizimin dhe optimizimin e mirëqënies së të dyja palëve.
“Vetëm 1% e grave shqiptare të anketuara janë të fuqizuara, ndërkohë që vetëm 6% e fëmijëve të anketuar kanë arritur mirëqenien në të gjitha dimensionet e vlerësuara”, citon studimi, ndërkohë që gjetjet kryesore tregojnë se duhet një nënë e fuqizuar për të rritur fëmijë të fuqizuar.
Studimi i realizuar në periudhën Maj-Qershor 2021 ka përfshirë 464 gra nëna të grupmoshës 35-50 vjeç dhe 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç, në tetë qytete të Shqipërisë.
Studimi synon të mbështesë me të dhëna lidhjen mes fuqizimit të gruas dhe mirëqënies së fëmijës.Gjetjet tregojnë një balancë jo të mirë në lidhje me indeksin e ndarjeve të përgjegjësive familjare midis grave dhe burrave, të tilla si kujdesi për familjen dhe puna e papaguar në shtëpi.Këto aktivitete mbulohen në pjesën më të madhe nga gratë, ku si pasojë këto të fundit nuk marrin pjesë mjaftueshëm në jetën sociale, e cila është e rëndësishme për shëndetin e tyre mendor.
“Si rrjedhojë e ndarjes së pabarabartë të punëve dhe detyrave shtëpiake, gratë janë më të izoluara nga jeta sociale”, tregojnë gjetjet e studimit.
“Mungesa e kohës, sasia e madhe e punëve të shtëpisë dhe mungesa e ndarjes së barabartë të përgjegjësive shtëpiake kanë ndikimin e tyre në formimin e jetës së grave shqiptare”, citon raporti.
Sipas raportit, vetëm 9% e grave të anketuara raportojnë se ato mund të ndajnë përgjegjësinë e kujdesit familjar me bashkëshortët e tyre.
Gjetjet gjithashtu citojnë se pothuajse gjysma e grave të anketuara (56%) kanë shëndet mendor të moderuar, 33% kanë shëndet mendor të mirë, dhe 10,8% tregojnë shenja potenciale të depresionit.
“Ajo që ndikon në gjëndjen time emocionale është hapësira që më duhet për t’u kujdesur për veten dhe në vetëbesim”, përgjigjet Fiqeretja 44-vjeçare, pjesmarrëse në anketim.Në vijim, gratë që kanë përjetuar apo kanë qenë dëshmitare të dhunës familjare raportojnë nivel më të lartë tensioni psikologjik.
“Të dhënat tregojnë se vetëm 22% e grave të anketuara kanë akses në ndihmë ligjore, ndërsa vetëm 9% kanë të drejta civile si për shembull të drejta për të udhëtuar, të drejtat e kujdestarisë pas divorcit, të drejta mbi pronën dhe trashëgiminë”, citon raporti.
Ky është një tregues që gratë shqiptare kanë pak njohuri mbi të drejtat e tyre dhe shërbimet që shteti iu ofron atyre, duke i bërë më vulnerabël ndaj rasteve të abuzimit.
Gjetjet e studimit tregojnë se më shumë se gjysma e grave të anketuara pranojnë se kanë peshë në vendimarrje të përbashkët me bashkëshortin, dhe shumë rrallë në vendimarrje të pavarur.
Gratë e anketuara raportuan dhe mbi disbalancën në lidhje me të drejtat e pronës.“Megjithëse kodi civil dhe ai familjar e njohin të drejtën e gruas mbi pronën, vetëm një përqindje e vogël e grave në Shqipëri zotërojnë një pronë, sepse ligji nuk zbatohet dhe gratë vazhdojnë të jenë të margjinalizuara në cështetj e trashëgimisë”, citon raporti.
Një arsye se përse ligji mbi pronën neglizhohet kur flitet për gratë, është për shkak të normave sociale dhe kulturore sipas të cilave gruaja shihet si e paaftë të përfaqësoje kryetaren e shtëpisë në çështje ligjore.“Në vitin 2018, vetëm 8% e grave ishin pronare të një tokë”, tregon raporti.Përsa i përket fëmijëve, vajzat dhe djemtë e anketuar raportojnë se shumica e tyre punojnë për të ndihmuar familjen.Vajzat zakonisht angazhohen më shumë se djemtë në punët shtëpiake të tilla si pastrimi, gatimi apo larja e rrobave, ndërsa si vajzat ashtu edhe djemtë angazhohen njëlloj në kujdesin ndaj pjestarëve të familjes.
“Puna formale e fëmijëve shënon 7% të fëmijëve të anketuar, shifër kjo që i përafrohet të dhënave nga Byroja e Cështjeve Ndërkombëtare të Punës në 2020, ku raportohej se 5% e fëmijëve të moshës 5-14 vjeç në Shqipëri punojnë”, citon studimi i World Vision./Reporter.al/