Nga xhelozia im burrë humbi të gjithë njerëzit me të cilët ishte rritur. Ai mendon se të gjithë më shikojnë mua!
Isha vetëm 17 vjeçe ku u martova me burrë 30-vjeçar. Isha e re dhe e bukur. Nuk isha vajzë që kisha dalë para martese përtej fshatit, ku e mbarova shkollën fillore.
Megjithatë, burri filloi të xhelozonte dhe përlahej me fqinjët e kushërinjtë e vet. Kështu, dalëngadalë filluan të na largohen dhe nuk na hynte kush në shtëpi…
E, unë vetëm heshtja, edhe pse herë pas herë më bërtiste me fjalët: “Heshtë kurvë! Kurva pa e luajtur bishtin nuk i shkojnë qentë prapa!”.
Djalin e axhës së tij e akuzonte se po më shikonte mua!
Në shtëpi jetonim unë me burrë dhe vëllai i tij me grua e dy fëmijët.
Se na u larguan farefisi i burrit as që mërzitesha, sepse më mjaftonte që në shtëpi e kisha kunatën dhe me të bisedoja edhe për gjërat më intime.
Por, një ditë erdhi djali i axhës së tij dhe, pa një e pa, dy u ul që t’ia qite kunata një kafe.
Ndërkohë, erdhi im burrë nga pazari dhe nuk i erdhi hiq mirë që e gjeti djalin e axhës së vet te ne, ani pse nuk isha vetëm me të në shtëpi.
Gati sa nuk u çmend duke bërtitur. E, bërtitja e tij bëri që djali i axhës së tij të lë kafenë në gjysmë dhe u qua e shkoi…
Pasi ai doli, mua nuk la gjë pa më thënë: “Pse e latë të hyjë në shtëpi kur nuk jam unë?! Pse i bëtë kafe?!”, e të tjera që m’i ngritën nervat.
Dhe, që nga ajo ditë u ndamë. Flinim në dhoma të ndara. Ishte katastrofë ajo jetë…
Kështu jetuam një vit, kur edhe kaluam në banesën që e bleu me kredi nga firma ku punonte.
Tashmë jetonim krejt të vetmuar. Pa askënd tjetër në shtëpi. Madje, as vëllai i tij më nuk vinte të na vizitonte.
Kështu, ai tashmë dukej më i qetë, por jeta ime sa vinte e rëndohej. Sa vinte e bëhej më monotone: pa punë, pa dalje, pa njerëz.
Dhe, duke mos pasur kujt t’i gjuhej në qaftë, rrokej me mua edhe për gjërat më të imta.
Vëllezërit e mi ia bën “mat”!
Dhe, pas një viti në banesë, herën e parë që shkova në gjini, u tregova vëllezërve fill e për pe për jetën time që bëja me burrë.
Të nesërmen, pa dijeninë time, vëllezërit e mi i kishin shkuar në banesë dhe i ishin thënë kurrë më të mos më kontaktonte.
Por, dy ditë më vonë ai u pa në oborrin e shtëpisë sonë dhe u ra në gjunjë vëllezërve të mi, duke u thënë se kurrë më nuk do më shqetësonte, vetëm të shkoja me të dhe të fillonim gjithçka nga fillimi.
Dhe, duke menduar se kush do më merr mua po të mbetja vejushë, i luta vëllezërit t’më lejonin të kthehesha te ai…
E, në natën e parë që u ktheva te ai, i thashë se edhe një herë po t’më thotë “kurvë”, vetë me duart e mia do ia shti gishtat në fyt.
Ai u habit nga fjalët e mia të ashpra, të cilat kurrë nuk ia kisha thënë më parë dhe u betua se do më trajtoj si grua.
Kjo bëri që gjërat gradualisht të binin në vend të vet dhe pas një viti më lindi fëmija i parë, vajzë.
Kështu, gjërat ndryshuan për të mirë në raportin tonë bashkëshortor.