Interes kombëtar të Britanisë së Madhe e ka cilësuar sigurinë e stabilitetin në Ballkan, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Në një deklaratë për “Reuters” të enjten nga një vizitë që u ka bërë ushtarëve britanikë të KFOR-it në Kosovë, Cameron e ka quajtur shumë shqetësues sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Ai ka thënë se Britania e Madhe ndihmon Kosovën me të drejtë në përpjekjet e saj për stabilitet, siguri e prosperitet.
“Ajo që ka ndodhur në shtator mendoj se ishte ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta parandalojmë dhe ta luftojmë nëse ndodh sërish. Kosova është shtet i pavarur, sovran që do stabilitet, siguri dhe prosperitet. Britania po ndihmon në të gjitha këto dhe ajo që ne po bëjmë është e drejtë”, ka thënë ai. “Stabiliteti në Ballkan, siguria në Ballkan, ndalimi i atyre që duan të shkaktojnë trazira dhe probleme, janë interesa direkte kombëtare të Britanisë së Madhe”.
Cameron ka thënë se pikërisht këto janë arsyet pse ka qëndruar në Kosovë për ta ritheksuar qëndrimin e Britanisë së Madhe se Kosova “si shtet i pavarur meriton përkrahjen tonë drejt sigurisë e suksesit”.
Gjatë ditës, Cameroni është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Mbrëmë ai u prit nga kryeministri Albin Kurti.