Në Beograd, janë të bindur se Serbia është duke njohur Kosovën, por jo në mënyrë të tërësishme. Sipas tyre, ajo këtë po e bën me copëza. Njohja e targave, pastaj e dokumenteve dhe veprime të tjera, i cilësojnë si raste konkrete se normalizimi i marrëdhënieve, ka dhënë disa efekte. Sidoqoftë, ngjarjet në skenën politike globale, përfshirë zgjedhjet në BE, Francë, Britani të Madhe e SHBA, e kanë lënë çështjen e dialogut paksa mënjanë.
Dialogu Kosovë-Serbi, nuk është prioritet për Perëndimin, kjo për shkak të ngjarjeve globale. Kështu deklaron politikani Nenad Çanak. Megjithatë, ai sqaron se procesi, ka dhënë rezultate të caktuara. Situata ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga viti i kaluar. Tanimë Serbia ia njeh Kosovës shumë elemente të shtetësisë. Dokumentet apo targat, janë disa prej tyre.
“Ka progres sepse vetëm para një viti e gjysmë për pak ka pasur luftë për shkak të targave të Kosovës, sot nuk është më problem. Dokumentet e Kosovës janë të njohura. Meqenëse e gjithë kjo është e njohur, ju keni një njohje hap pas hapi të Kosovës, në pjesë të vogla. Serbia, si kjo që është sot, nuk mund të pranojë kurrë vetëm një gjë, ajo është se e ka njohur Kosovën. Për shkak se ajo nuk mund të pranojë se e ka njohur Kosovën, çdo fjalë tjetër hyn në lojë, përveç njohjes”, tha Nenad Çanak, ish-lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës.
Aktualisht, në Beograd besohet se ka një vakum politik të shkaktuar nga zgjedhjet në Britaninë e Madhe, Francë dhe zgjedhjet në SHBA. Kjo, mundëson forcimin e kundërshtarëve të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Më duket se është bërë një hap prapa sepse janë shtyrë detyrimet e të dyja palëve lidhur me zbatimin e Asociacionit dhe përmbushjen e obligimeve të Serbisë në lidhje me moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Prandaj plani gjermano-francez nga i cili lindi Marrëveshja e Ohrit duhet të rivitalizohet dhe të kthehet në fokus”, tha Ivan Videnoviq, profesor në Universitetin e Beogradit, shkruan rtk.
Sidoqoftë, nga dialogu ka shumë pritje që çështja e normalizimit të kthehet në qendër të vëmendjes me një administratë të re në Bruksel. Kjo, në mënyrë që të evitohet jostabiliteti i mundshëm.