Kadrije Canolli është një emër që la gjurmë në fushën e modelimit në Kosovë. Falë punës, përkushtimit dhe dashurisë së madhe për modelimin, bukuroshes iu hapën dyert e bashkëpunimit edhe me firma të njohura botërore.
Së fundmi ajo u bë pjesë e brendit të njohur amerikan, Marciano by Guess.
Canolli në një intervistë për portalin rtv21.tv, tregoi se bashkëpunimi ndodhi përmes Instagramit.
“Duke u nisur nga fakti që në kohën tonë të dixhitalizimit, rrjetet sociale e kanë vëmendjen prioritare, instagrami është mjeti më i favorizuar nga të gjithë, ku edhe kompanitë e mëdha fokusin kryesor për marketing e kanë tek rrjeti më i famshëm momentalisht “Instagram”. Duke u nisur nga ky fakt, personat të cilët cilësohen më favorizues, më me shumë ndjekës, janë të kontaktuar nga kompani dhe brende të ndryshme vazhdimisht. Në këtë rast edhe unë jam një ndër këta persona. Bashkëpunimi me brendin e njohur American Guess/ Marciano ka filluar në këtë mënyrë, pra përmes Instagram-it. Pastaj jam kontaktuar edhe zyrtarisht me e-mail, ku edhe e kemi zyrtarizuar marrëveshjen e bashkëpunimit”, deklaroi ajo.
Modelja thotë se është kënaqësi dhe privilegj shumë i madh, veç të tjerash thekson se bashkëpunimi me këtë brend me renome botërore është ëndërr e çdo femre.
“Është kënaqësi dhe privilegj shumë i madh të jesh imazh i një brendi ku ka histori aq të pasur në vete dhe të cilësohesh njërangësh me inkonat më të njohura të modes siç është Brendi Marciano by Guess, e të punosh me një ekip profesionistësh, përveqëse knaqësisë dhe privilegjit është edhe ëndërr shumë e madhe që besojë që secila femër që është në botën e artit do ta dëshironte ta perjetonte!”, deklaroi ajo.
Canolli thekson se gjithmonë ka qenë fanse e brendit Guess, megjithatë nuk ka pritur që një ditë do të bëhet pjesë e këtij brendi, mbase për shkak angazhimeve të tjera të përditshme si shkolla, projektet e ndryshme televizive dhe puna në sektorin bankar. Megjithatë thotë se maksimalisht mundohet për çdo punë.
Kadrija hapat e parë në fushën e modelimit i ka bërë në moshë shumë të hershme, siç shprehet ajo “atëherë kur çdo gjë kishte vlerën më të madhe dhe mundësinë shumë të vogël”, krahasuar me kohën e tashme, meqë ajo vlerëson se është hapësirë shumë e madhe dhe e lehtë e mundësive në fusha të ndryshme të artit.
“Për mua personalisht eksperienca në këtë rrugë më ka ndihmuar shumë, duke e njohur çdo funksion e detaj të botës së modës, më ka ndihmuar pa diskutim që të jep më të mirën në këtë fushë dhe eksperienca të ndryshme jetësore”, tha për fund Canolli.