Mimoza është një tjetër emër shqiptar që premton të ndjekë hapat e artisteve të tjera si Dua Lipa, Rita Ora, Ava Maz dhe Bebe Rexha. Mimoza jeton në SHBA dhe prej vitesh është e angazhuar në muzikë. Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në ABC, me moderatorin Alban Musa, këngëtarja foli për këngën e saj më të re, Young Queen.
Artistja nga Kosova tha se kënga, në të cilën shfaqet me veshje kombëtare, është një dedikim për nënën e saj dhe sigurisht për vendlindjen. “Gjithmonë kam pasur dëshirë me shkruar një këngë për vendlindjen dhe për mamin sepse mami më ka rritur me vlerat shqiptare që më kanë ndihmuar në jetë me pasur vetëbesim. Është një falënderim dhe dedikim për mamin.
Nuk do të kisha qenë e fortë dhe ajo që jam sot pa mamin dhe pa vlerat shqiptare. Kam pasur dëshirë me qenë dhe mami në videoklip por është një diva shumë e madhe dhe nuk e do kamerën. “, tha ajo. Përveçse një këngëtare shumë e talentuar, ajo është gjithashtu edhe një tekst shkruese shumë e mirë.
Ajo ka punuar me Ava Max për këngën “Kings & Queen”, hit botëror i kësaj të fundit. “E kam punuar tekstin në 2015-ën dhe menaxhimi më ka treguar se në vitin 2020 që Ava do të publikojë këngën. Jam gëzuar se ka pasur sukses, sepse e kam ndarë këtë sukses me një këngëtare shqiptare dhe ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua.”, tha ajo.