Vlera të shtuara të bakterieve koliforme dhe Escherichia coli janë identifikuar në mostrat e marra nga uji i ujësjellësit në Komunën e Deçanit, ku rreth 2 mijë persona janë helmuar.
Helmimi i këtyre qytetarëve mund të ketë ardhur nga uji i pijshëm i kontaminuar, andaj edhe është identifikuar prezenca e Escherichia colit.
Por çfarë duhet të dimë për E.colin dhe sa mund të jetë i rrezikshëm ky bakter?
Ky bakter transmetohet te njerëzit kryesisht përmes konsumit të ushqimeve të cilat janë të kontaminuara, si produktet e mishit të bluar të papërpunuar ose të pazier, qumështit të papërpunuar dhe perimeve të papërpunuara e të kontaminuar.
E.Coli mund të gjendet edhe në ujë, kryesisht në ujërat e zeza.
Mbeturinat mund të hyjnë në ujë përmes mënyrave të ndryshme, duke përfshirë tejmbushjen e ujërave të zeza, sistemet e ujërave të zeza që nuk funksionojnë siç duhet, rrjedhjet bujqësore, e hedhjen e mbeturinave shtazore.
Shumë prej llojeve të këtij bakteri cilësohen si të padëmshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Megjithëse, disa lloje të E.colit thuhet se mund të shkaktojnë sëmundje të rënda të transmetuara nga ushqimi.
Edhe konsumi i ujit ose kontakti me ujë të ndotur me jashtëqitje të kafshëve me gjak të ngrohtë mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh.
Nga këto simptoma mund ta kuptoni se jeni të helmuar me bakterin E.coli
Megjithëse shumica e llojeve të këtij bakteri janë të padëmshme ka edhe prej tyre që mund të shkaktojnë sëmundje të rënda.
Simptomat më të shpeshta nga E.coli janë dhimbja e barkut, diarreja, temperatura e të vjellat.
Simptoma më pak të zakonshme përfshijnë vjelljen dhe temperaturën e ultë. Shumica e të rriturve të shëndetshëm shërohen nga një infeksion plotësisht pas rreth një jave.
Simptomat e të infektuarve zakonisht shfaqen brenda 2 deri në 4 dite, por mund të zgjasin deri në 8 ditë.
Shumë prej të helmuarve mund të shërohen edhe pa antibiotik apo ndonjë trajtim specifik.
Njerëzit preferohet që të vlojnë ujin e pijshëm dhe më pas të lejojnë që uji të ftohet para se ta përdorin ose ta ruajnë atë në një enë të pastër, të mbyllur për përdorim të mëvonshëm.