Tash, kur bërthama e shtetit të Republikës së Kosovës, UÇK-ja, po atakohet, institucionet shtetërore po tregojnë se nuk kanë bërë asgjë për t’i dokumentuar botës se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, shkruan “Kosovarja”.
Fotografia e vajzës gjashtë muajsh, e që tronditi botën nga masakra e familjes Deliaj në Abri të Epërme, u bë nga fotografi i Zelandës së Re, Vade Godart.
Kosovës tash po i arrestohen edhe veteranët e UÇK-së, në zyrat e veta legjitime, për faktin e tërthortë të zbarkimit të dosjeve sekrete që rrodhën nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ndërkohë, bota informative prezanton pamjet e policisë së EULEX-it, duke arrestuar ish-pjesëtarë të UÇK-së! Dhe, secili shtet, sipas qejfit të vet, i jep kah arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Specialja.
E tash, 21 vjet pas lufte, shqiptarët e Kosovës, e që u depërtuan në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, nuk trajtohen më si viktima, por si xhelatë e mëkatarë!
Sepse gjërat kanë ndryshuar dhe më nuk janë në pozitat e dikurshme njerëzit eminentë botërorë, e që ndihmuan shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga masakrat serbe.
Tash në pozita ndërkombëtare politike janë njerëz që nuk e kanë përjetuar masakrimin e Kosovës…
Sidoqoftë, dy dekada pas luftës, Kosova është dashur të kishte lënë gjurmë argumentuese dhe fakte se çka kanë bërë serbët në Kosovë…
Madje, do të ndikonin, të paktën, të mos ishte Vuçiçi president i Serbisë, kur dihet fakti se ai kishte përkrahur Milosheviqin, duke qenë pjesë e qeverisë së tij.
E, institucionet qeveritare të shtetit nuk kanë dhënë fare fakte faktografike të krimeve serbe në Kosovë!
Ndërkaq, Serbia ka bërë filma dhe po bën edhe më tej kinematografi të rreme nga lufta e Kosovës më 1999, duke plasuar në botë gënjeshtra përmes kulturës kinematografike…
Në anën tjetër, Kosova po bëhet më e varfër nga dëshmitarët që po vdesin, më e harruar nga vitet që po ikin dhe më joshtetërore në mosarkivimin e ngjarjeve të përgjakshme, brenda të cilave ka mijëra dosje sekrete, me të cilat nuk është marrë fare Tribunali i Hagës për krimet serbe në ish-Jugosllavi.
Shtrohet pyetja: Çka do të ndodhte nëse Kosova do të kishte investuar në filma dokumentarë dhe artistikë nga lufta?
Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje që është sot po të kishte bërë filma nga ngjarjet tragjike të luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Sidoqoftë, Kosova ka mundësi akoma ta bëjë, për shembull, një film nga masakra e Gallapit, me të cilën nuk është marrë fare Tribunali i Hagës e as drejtësia ndërkombëtare.
Janë 400 viktima të masakruara tmerrësisht në masakrën e Gallapit, nga data 18-23 prill të vitit 1999, kur forcat serbe të Arkanit kanë vrarë dhe prerë me sharra druri shqiptarë, e që ishin strehuar në malet e Mramorit, për t’i shpëtuar masakrimit serb.
Ata ishin kapur në pritë në grykën e Lagjes “Ugriaj” në Grashticë, duke prerë, kryesisht, djem të rinj…
Dhe, në vazhdim japim disa detaje që i kanë thënë dëshmitarët e gjallë:
“Në Ugriaj, një djali me emrin Fatmir, i janë shkulur flokët për së gjalli.
Një tjetri i është thyer qafa nga paramilitarët, e një tjetri i janë thyer gishtat e dorës të gjithë…
Një nënë (emri i njohur për Redaksinë), ka pasur nëntë therje me bajonetë nga paramilitarët, duke e mbrojtur në gji djalin e vet të vogël…
Një djalë me emrin Agim, e që sot jeton akoma, i ka 18 plumba automatiku në trup dhe është dëshmitar i gjallë i gjithë tmerrit që ka parë me sytë e vet…
Dy femra janë nxjerrë lakuriq para kolonës, njëra prej të cilave është vrarë nga paramilitarët…
Kasapi i Prishtinës, një rom që ka prerë të rinj shqiptarë me sharrë motorike në Makoc të Prishtinës, sipas dëshmitarëve, ka qenë pjesë e gardës së Arkanit…
E, në shtëpitë e familjes Krasniqi në Grashticë ka pasur shumë flokë femrash…
Dhe, të gjitha këto dhe shumë të tjera, kanë qenë inserte që mund të bëhen realisht film faktografik nga masakra e Gallapit…
Po ashtu, për të gjitha këto dëshmojnë edhe varret në memorialin e Makovcit, por edhe dëshmitarët e gjallë.
Por, nuk ka qenë vetëm kjo masakër në Kosovë. Të kujtojmë me këtë rast edhe masakrën e Reçakut, të Mejes, Lybeniqit, Izbicës, Krushës së Madhe e të Vogël, pastaj ajo e Celinës, Sllovisë, Ribarit, Hallaqit të Vogël etj.
Në fund, të themi se pothuajse gjithnjë në krye të Ministrisë së Kulturës janë emëruar ministra që nuk kanë pasur haber se ç’është filmi, kultura filmike, libri dhe vlerat e shumta që bartin e ruajnë dëshmi për krimet serbe në Kosovë dhe që përçojnë mesazh të qartë në botë se kush janë serbët dhe çfarë kanë bërë në Kosovë. Safet Krivaça /Kosovarja