Dardi, emër i ri në muzikë, por një zë i mrekullueshëm, i cili mund të këndojë 24 orë pa pushim, me ton të ulët, të mesëm e të lartë. Kjo është pika e fortë, e cila do i garantojë sukses në botën e muzikës.
Kënga me titull “Zemrën do ta fal” është projekti i tij i parë, që përcjellë ritëm dhe energji verore. Insistimi i shoqërisë që ia kanë dëgjuar vokalin, ka bërë që Dardi të bëhet pjesë e fushës së muzikës dhe të sjellë këngën e parë, e cila është përcjellë me komente pozitive dhe ia ka dhënë “vizën morale” për të vazhduar tutje…Ndonëse ka studiuar gazetarinë, në zemër gjithmonë e ka pasur muzikën dhe thotë se ky është “stacioni i fundit”.
Dardan, nëse do të kërkohej ta përshkruaje veten, si do ta bëje? – Jam me ambicie dhe energji. Adhuroj shëtitjet. Jam komunikativ. Në të vërtetë, shpesh është sfidë ta përshkruash saktë veten, meqë këtë gjë e bëjnë më së miri të tjerët…
Atëherë, pra, si të përshkruajnë të tjerët? – Më thonë se jam shok i mirë. Dhe, vërtet, përpiqem të jem i sinqertë në çdo raport. Më përshkruajnë si tip të hapur dhe me të cilin kalohet bukur.
Nëse kthehemi në kohë, si e mban në mend veten? – Një djalë i ri me shumë plane, ide, vizione… Pa dyshim, kam dashur të kem gjithçka… Dhe, një pjesë të mirë të dëshirave të dikurshme po i realizoj dita-ditës.
Tash merreni me muzikë, kurse keni studiuar gazetarinë. Ç’thua për këtë? – Gazetaria ka qenë një prej ambicieve të mia të mëdha. Ende jetoj për gazetari, por pa e lënë anash dëshirën dhe pasionin për muzikë, meqë më ka shoqëruar gjithmonë. Andaj, muzikën më nuk e trajtoj si hobi, por si “stacion të fundit” ku e kam gjetur veten plotësisht. Thjesht, një ëndërr imja e bërë realitet…
E, pse nuk u bë gazetaria profesion yti primar? – Isha i zënë me misione ndërkombëtare jashtë vendit dhe kjo është arsyeja pse gazetarinë e lashë në plan të dytë. Pra, nuk isha në rrjedha… Dhe, kur s’je në rrjedha të ngjarjeve, s’je në gazetari…
The se vite me radhë ishe në shërbime ndërkombëtare jashtë Kosovës, në vende të ndryshme të botës. A mund të na flasësh për eksperiencat që ke pasur? – Ishin përvoja të jashtëzakonshme, sepse kam njohur kultura e njerëz të ndryshëm, por edhe trende interesante, kryesuar nga ato amerikane. Dhe, mu ato përjetime, mu ato eksperienca më kanë bërë më të pasur shpirtërisht…
Tani je në Kosovë.E ke prerë shiritin e karrierës muzikore…
– Siç thashë, muzikën e kam dashur gjithmonë. E kam pasur në shpirt qysh në vegjëli. Ishte shtytja e familjes dhe shoqërisë që të bëja diçka dhe të mos e lë pas dore pasionin për këngën.
Kush të tha për herë të parë që je për muzikë? – Po, kush s’më tha, se?!
Projekti i parë e ka parë dritën e publikimit. E, tutje? – Synimet për projekte të ardhshme, këngë të reja, i kam të shumta dhe do të renditen së shpejti. Pa dyshim, më duhet ta pranoj se me krijuesin e këngës së parë, kompozitorin e njohur Andin Randobrava, ndajmë pikëpamje të përbashkëta, kam shoqëri dhe jam i kënaqur me punën që bën me mua dhe për mua…
Kënga “Zemrën do ta fal” është pritur mirë, a? – Jo vetëm mirë, por është pritur jashtëzakonisht mirë dhe i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë e një projekti fillestar. Dhe, fill pas publikimit, shumë kompozitorë më kanë kontaktuar, më kanë përgëzuar e lavdëruar dhe më kanë ofruar përkrahje e bashkëpunim. Andaj, të gjithëve u jam mirënjohës.
Në këtë kohë më shumë se çdo gjë bëhen komente. Si të komentojnë ty? – Fatmirësisht, të gjitha komentet që më janë bërë janë pozitive. Andaj, kam marrë “vizë morale” që të eci tutje dhe sigurt me projekte të reja muzikore.
Cila është pika jote e fortë si këngëtar dhe çka të bënë të veçantë nga të tjerët? – Potenciali i zërit dhe qëndrueshmëria për të kënduar 24 orë, është karakteristikë imja e veçantë. Tjetër, mund të këndoj me ton të ulët, të mesëm, por edhe të lartë.
A je gati për dasma e ahengje? – Veç kam filluar të këndoj në dasma, ahengje dhe vende speciale për shokë e miq, që më duan në gëzimet e tyre.
Një bashkëpunim me…?
– Në familjen tonë muzika nuk fillon me mua. Ende pa lindur unë, të gjitha hallat e mia kanë qenë këngëtare të Shoqërisë Kulturore-Artistike “Shkëndija”, të cilat janë mirëpritur nga publiku. Vëllai, gjithashtu, është talent në muzikë.E, mbesa ime, Tuana, është talente e vërtetë. Por, një bashkëpunim me këngëtarë me përvojë veç sa do e pasurojë karrierën time të nisur në muzikë…
A është dikush në jetën tënde sentimentale, dikush që do t’i dedikoje këngë? – Në jetën time ka njerëz shumë të mirë, që më impulsojnë të ecë përpara, e që e vlen edhe t’u kushtohet këngë…
Për fund?
– I falënderoj të gjithë mbështetësit e mi, jo vetëm në muzikë, por edhe në jetë, sepse nuk jam njeri që kërkoj vetëm të marrë prej shoqërisë, por që në mënyrën më të ndershme mundohem më shumë të jap.I çmoj e respektoj të gjithë ata që këndojnë në të gjitha zhanret, sepse nuk jam fare xheloz për sukseset e të tjerëve.Por, e konsideroj veten special dhe me shije në artin muzikor, por edhe në artet e tjera.
N. Neziri