fbpx

Dashuria nuk është varësi!

nga Revista Kosovarja

Kur fillon një histori dashurie, gjithçka duket shumë e bukur. Emocionet e fillimit bëjnë që dy partnerët të jetojnë fazën e rënies në dashuri me shumë intensitet dhe pasion. Por dihet, që kur kalon kjo fazë e parë, fillon rutina. Romanticizmi dhe ndjenjat i lënë vend avazit të përditshëm dhe një çift rrezikon të vendoset në provë të fortë. Ekziston rreziku që një prej të dyve të ndihet i lënë pas dore dhe të rikërkojë motivim.

Të gjitha këto gjendje shpirtërore mund të konsiderohen normale brenda dinamikave të një çifti. Por çfarë ndodh nëse një partner fillon të zhvillojë ‘një ngjitje të tepruar’ ndaj tjetrit? Në rastet kur nevojat e një çifit monopolizohen nga vetëm njëri prej partnerëve, mund të flitet për varësi emocionale.

Varësia emocionale ëhtë një varësi si të tjerat dhe si e tillë, duhet përballuar e kuruar. Ky fenomen shpesh mbivlerësohet nga ai që e vuan dhe quhet nga ai si ‘dashuri e madhe’ dhe ‘ afeksion’ ndaj partnerit.

Por si mund ta përcaktojmë një varësi emocionale? Si një formë patologjie që gjeneron marrëdhënie shkatërruese. Një shqetësim mendor që në rastet më të rënda, mund të ketë edhe pasoja të rrezikshme. Bëhet fjalë për një shqetësim që godet sidomos gratë. Nuk dihen motivet e sakta pse përfshihet më tepër gjinia femërore, por shumë studime ua referojnë përgjegjësinë modeleve edukative të marra gjatë fëmijërisë ku një grua që e vogël është mësuar të bindet në vend që të rebelohet.

Si ta njohësh këtë varësi? Simpomat më të zakonshme janë: ndjenjë faji dhe inferioriteti ndaj partnerit, xhelozi ekstreme, frikë nga braktisja, vetëbesim fals ndaj vetes dhe eliminim të pasioneve individuale për të kënaqur partnerin. Gjysma tjetër vjen para gjithçkaje dhe gjithçkujt, edhe para vetes. Gjithçka rrotullohet rreth tij.

Nga e ka origjinën kjo varësi? Zakonisht nga dinamikat familjare të pazgjidhura, të lidhura me fëmijërinë. Tradhti, keqtrajtime (fizike dhe psikologjike) dhe braktisja bëjnë që personi ta humbasë besimin në vetvete dhe jetën e vet e sheh të jetuar vetëm nëse është përkrah personit tjetër. Shumë kërkime tregojnë ekzistencën e faktorëve predispozues ndaj kësaj varësie si për shembull marrëdhëniet konfliktuale me prindërit, përvojat e abuzimit në fëmijëri, fëmijë të prindërve të rinj dhe të paformuar, abuzimi me substanca, etj.

Varësia afektive është një burim i sigurisë dhe mbështetjes. Kërkimi i vazhdueshëm i ‘shpjegimeve’ nga ana e partnerit, shkakton ndjenjën e fajit, turpit dhe tërheqjet, gjendje që ushqejnë gjendjen e privimit emocional dhe nënshtrimit të provuar më parë. Sidoqoftë, varësia emocionale nuk duhet të konsiderohet si një problem indivuadal, por në një lidhje. Është e rëndësishme të shihet brenda kësaj varësie një problem i krijuar nga çifti dhe jo nga një prej partnerëve.

Dalja nga kjo gjendje psikologjike nuk është gjithmonë e lehtë. Pikërisht sepse kjo varësi ngatërrohet shumë shpesh me një demonstrim të tepruar të dashurisë. E rëndësishme është që pasi të jetë identifikuar çrregullimi, të kërkohet ndihmë nga një ekspert. Është e nevojshme të punohet me vetëvlerësimin dhe vetëdijen e një personi duke u përballur me të shkuarën që mund t’i ketë provokuar këtë gjendje

Rezultati, në kundërshtim me atë që dikush mund të mendojë, nuk fitohet duke u larguar nga personi tjetër, por duke vepruar së pari së brendshmi. Personi duhet të kërkojë forcën e tij brenda vetes dhe të mos mendojë që kjo varet nga ai që është pranë tij. Duhet të dëshiroj vërtet të jetë me atë person dhe të mos e vazhdojë atë marrëdhënie vetëm për mendimin se nuk jeton dot pa tjetrin, objektin e varësisë së tij emocionale.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]