Shkencëtarët kanë zhvilluar një shtresë antivirale që mund të mbrojë sipërfaqet nga koronavirusi për 90 ditë.
Shitjet e sprejit për mbrojtje nga virusi COVID-19 kanë filluar në Hong Kong me një çmim prej rreth tetë eurosh, sipas British Sky News.
Iu deshën shkencëtarëve nga Universiteti i Shkencave dhe Teknologjisë (HKUST) të Hong Kongut 10 vjet për të zhvilluar këtë sprej të quajtur MAP-1.
Sipas tyre, kjo substancë mund të përdoret për të spërkatur vendet publike, siç janë parmakët dhe ashensorët, për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
“Këto vende preken shpesh dhe bëhen kështu bartës shumë të efektshëm të sëmundjes”, thotë profesori Joseph Kwan, një nga studiuesit kryesorë në HKUST.
Spreji është bërë nga miliona nano-kapsula me dezinfektues që mbeten efektive në shkatërrimin e baktereve, viruseve dhe sporeve edhe pasi të jenë tharë, thotë profesori Kwan.
Spreji është gjithashtu jo toksik dhe i sigurt për lëkurën dhe mjedisin, sipas studiuesve.
Është aprovuar për përdorim zyrtar dhe masiv në shkurt pas provave klinike në një spital në Hong Kong.