Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për shpërfilljen e procedurave ligjore dhe për kontrabandimin e 1.000 testeve, donacion nga Serbia.
Në një konferencë shtypi të kësaj partie, pasditen e së dieles, Deliu-Kodra ka thënë se pranimi i këtyre testeve nga Qeveria paraqet “kulm të sjelljes inferiore karshi Serbisë”. Kjo, sipas saj, ndikoi që Serbia të paraqitet “faktor konstruktiv”.
“Por, ajo që i vë vulën këtij bashkëpunimi të turpshëm e nënshtrues me Serbinë është futja e testeve si kontrabandë, pa respektuar procedurat ligjore dhe doganore, sikur që i nënshtrohen të gjitha donacionet e tjera për Kosovën. Shteti i jonë u trajtua si pjesë e Serbisë. Madje ato u futën thuajse ilegalisht me një makinë me tabela diplomatike nga përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviqeviq. Fatkeqësisht, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi as që ka qenë e informuar dhe në dijeni për këtë rast”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka thënë se partia e saj e dënon këtë sjellje, duke e quajtur “poshtëruese”. Sipas saj, kështu i është dhënë mundësia Serbisë që “nën maskën e ndihmës humanitare, të fitojë epërsi strategjike ndaj Kosovës”.
“Po ashtu, bëjmë thirrje ndaj të gjitha institucioneve shtetërore e mbarë opinionit publik që të angazhohen për ta ndalur këtë zmbrapsje të shtetit tonë dhe këtë avancim të Serbisë në kurriz të sovranitetit tonë dhe të pozicionit tonë ndërkombëtar”, ka thënë ajo.