Sot është raportuar mbi një aksion të Njësisë Speciale në afërsi të Çeçevës, në veri të vendit, ku u arrestua Besim Zeqiri, i njohur me nofkën “Kaça”, si dhe katër serbë të tjerë, bashkëpunëtorë të tij.
“Kaça” dhe bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar për veprat penale “Kontrabandë mallrash”, “Posedim i susbtancave narkotike” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Në momentin që oficerët policorë kanë tentuar t’i ndalojnë të dyshuarit, grupi i ka sulmuar me armë zjarri dhe më pas Policia është kundërpërgjigjur.
“Oficerët e policisë iu përgjigjën zjarrit, por për fat nuk pati viktima”, tha zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani.
Si ndodhi rasti?
Rasti ka ndodhur në fshatin Kovaçe, rreth orës 03:20.
Burime pohojnë se në fshatin Kovaçe (Farkëtarët), në afërsi të Zubin Potokut, aty ku edhe policia po kryente një plan operativ, ka hasur në disa automjete të dyshimta.
Një Golf 4 karavan, një veturë Touareg dhe një veturë Dacia janë ndaluar për kontroll nën dyshimin se të njëjtat po shfrytëzoheshin për kontrabandim mallrash.
Gjatë kontrollit, në afërsi të lokacionit, një furgon i bardhë i tipit Mercedes ka sulmuar zyrtarët policorë të cilët po merreshin me rastin, duke përdorur edhe armët e zjarrit.
Një nga të dyshuarit, gjatë të shtënave me armë, është arratisur nga vetura, për të ikur në drejtim të malit duke vrapuar.
Pikërisht në furgonin Mercedes, i cili është braktisur nga të dyshuarit, janë gjetur tetë pako cigare, të cilat edhe janë konfiskuar.
Në anën tjetër, të dyshuarve të ndaluar për kontroll u janë konfiskuar dy radiolidhje si dhe telefonat që posedonin.
Kush janë të dyshuarit e arrestuar nga policia?
Përveç të dyshuarit kryesor për kontrabandim, e që është Besim Zeqiri, policia ka arrestuar edhe katër serbë të tjerë.
Raportohet se bëhet fjalë për Aleksander Mihajlovic, Jovan Gjukic, Zhelko Kosanin dhe Markon Milkovic