Këngëtarët që performojnë nëpër dasma nuk e kanë pritur aspak mirë deklaratën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia se ky do të jetë vit i dasmave pa të ftuar dhe ditëlindjeve pa miq.
“Duhet ta kemi parasysh se kalimi nga faza e parë në të dytën, varet nga të gjithë ne. Këto janë masat e reja për të kaluar në një normalitet të ri. Përkundër progresit që kemi shënuar këto ditë, ne nuk e kemi zhdukur virusin. Ai do të jetë në mesin tonë. As tek ne, as në botë, nuk do të kemi situatë normale siç jemi mësuar ta kemi më herët, sepse ky vit nuk do të jetë normal. Këtë vit ndoshta nuk do të ketë festime ditëlindjesh me miq, ahengje, martesa me tubime, nuk do të kemi as ceremoni mortore. Kjo nuk do të thotë se nuk do të festojmë ditëlindje, apo martesa, por pa të ftuar. 4 maji nuk është dita kur kthehemi në normalitet, por ecim drejt një realiteti të ri”, ka thënë ai.
Në fakt për dasmat dhe klubet e natës, siç edhe ka shkruar Reporteri.net as që mendohet të ketë hapje gjatë verës, pasi konsiderohen të rrezikshme në betejën për ta parandaluar coronavirusin. Në Ministrin e Shëndetësisë është diskutuara që mundësia e hapjes të shqyrtohet tek në vjeshtë.
E gjithë kjo nuk është pritur aspak mirë nga këngëtarë që kryesisht tashmë fitojnë nga dasmat dhe mbrëmjet muzikore. Plot rezervime në vlerë të mijëra eurove do të humbin secili prej tyre. Siç kanë biseduar për Reporterin, këngëtarë e performues tjerë nëpër dasma e ahengje, sezoni fillon tek pas 75 ditëve.
“Sezoni i dasmave fillon pas 75 ditëve, pra deri sa të fillojnë ceremonitë. Ministri tash thotë se nuk ka organizime. Nuk ka logjikë kjo, duhet rishqyrtuar më vonë”, ka thënë një këngëtar dasmash, e që nuk ka dashur t’i përmendet emri.
“Nuk është humbje vetëm për neve, por po flasim për një zinxhir biznesesh, restorantet, pastaj bizneset tjera furnizuese me ushqim, dekorime, xhirime e shumë e shumë aspekte tjera që shkojnë për një dasmë”, ka thënë ai.
Një këngëtare dasmash, që po ashtu nuk ka preferuar të identifikohet, ka thënë se deri më tani kishte 30 dasma të rezervuara dhe nga secila priste rreth 2000 euro.
“Do të kemi humbje të mëdha”, ka thënë ajo.
Ndonëse ata e kuptojnë se kjo gjendje mund të mos jetë në vitin tjetër dhe e mirëkuptojnë përpjekjen për të parandaluar përhapjen e virusit, theksojnë se sikur për të gjitha sektorët tjerë të ekonomisë, edhe këtu duhet të gjendet një zgjidhje.
Ministri Vitia, që sot njoftoi se nga 4 Maji fillojnë masat lehtësuese ka thënë se ato do të mund të ndryshojnë varësisht nga numri i të prekurve me coronavirus. /Reporteri