“Mendimi për Motin” është emisioni më i ri në televizionin T7. “Mendimi për Motin”, i cili do të nisë transmetimin së shpejti, do të jetë emision unik për motin, autor dhe moderator i të cilit do të jetë Mendim Rugova, profesionist i kësaj fushe.
Përveç parashikimit të motit dhe temperaturave, në “Mendimi për Motin” do të jepen edhe analiza të klimës, parashikime afatmesme të motit, si dhe do të diskutohet edhe për fenomene të ndryshme meteorologjike që paraqiten në pjesë të ndryshme të globit.
“Mendimi për Motin” me theks të veçantë do të trajtojë edhe ndotjen e ajrit, sidomos me parashikimin e cilësisë së ajrit në ditët vijuese, i cili varet shumë nga kushtet meteorologjike.
Në këtë aspekt janë paraparë edhe intervista me profesionistë në institucionet relevante që merren me monitorimin e ndotjes së ajrit.
Do të ketë edhe analiza krahasuese me gjendjen e ndotjes së ajrit edhe nëpër vendet tjera të rajonit, të cilat kanë të njëjtën problematikë të ndotjes së ajrit.
Me këtë tematikë kemi qëllimin që edhe të sensibilizojmë publikun që të kuptohet më mirë se sa ngushtë ndërlidhet moti dhe ndotja e ajrit.
“Mendimi për Motin” do të transmetohet së shpejti në T7, nga e hëna deri të premten, pas lajmeve qendrore.