Një person i dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, është vetdorëzuar sot në Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari është lajmëruar vet në polici pasditën e sotme.
“Lidhur me interesimin tuaj, u njoftojmë se në polici është lajmëruar një person i dyshuar. Policia është duke u marrë me kompletim e rastit”, ka thënë për Insajderin, zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi.
Zëdhënësi i policisë ka thënë se “në koordinim me prokurorin kompetent do të vazhdohet trajtimi i rastit”.
Gazetari Syla u sulmua fizikisht paraditen e së martës në lagjen “Pejton” të Prishtinës. Sulmi është inciziuar nga kalimtarë të rastit. Pamjet shfaqin gazetarin Syla të sulmuar me grushte nga një person.
Sulmuesi, siç kanë raportuar sot mediat, dyshohet të jetë Bashkim Jupa, një mërgimtar me qëndrim në Zvicër.