“Dy dashuri” është libri i ri i poetes së talentuar Planeta Sllamniku. Në këtë përmbledhje janë të përfshira mbi 60 poezi, që shpërfaqin një timbër të veçantë poetik, një det ëndrrash dhe dëshirash për jetën, shkruan “Kosovarja”.
Në subjektet e poezive në librin “Dy dashuri”, lexuesi ndesh një botë të begatë ndjenjore e shpirtërore, përmes së cilës Planeta trajton me plot vrull e shpresa aspekte të ndryshme të jetës.
Në këto poezi imagjinata dhe bota psikologjike e autores shtrihet natyrshëm në trajtimin e temave të mprehta, duke zgjuar te lexuesi ndërgjegjen kombëtare, dashurinë për vendin, traditën, por edhe dhimbjen. Shkurt e shqip: çdo gjë të rëndësishme…
Studiuesi Faik Shkodra thekson se në subjektet e poezive të këtij libri, lexuesi ndesh një botë të begatë ndjenjore e shpirtërore të Planetës, përmes së cilës ajo trajton me shumë vrull e shpresa aspekte të ndryshme të jetës.
“Në këto poezi imagjinata dhe bota psikologjike e autores është e pasur. Me këtë imagjinatë e psikologji arrin natyrshëm, duke kënduar për tema të mprehta, të formojë te lexuesi ndërgjegjen kombëtare, dashurinë për vendin, për jetën, për të bukurën.
Edhe në këto poezi, autorja sjell vargje të shkruara me ndjenja e zjarr të madh krijues. Këto vlerësime dhe gjykime i përligjin edhe ligjshmëritë teorike, estetike e kritike dhe si të tilla na e bëjnë më të përtashëm mendimin dhe qëndrimin e shprehur në Klauzolën e shkruar të poetit amerikan Makleish, kur në një varg thotë: “Poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”, thotë Shkodra.
E, për poeten e kritiken Sabile Keqmezi-Basha, vargu i Planetës është i ndjeshëm, shumëdimensional dhe ka plot metafora, e që të marrin me vete, duke menduar se bota që e mbretëron ajo, është një ujdhesë që në vazhdimësi ka erëra tekanjoze që të djegin
ballin e shpirtin, por dinë edhe të bisedojnë me ty dhe duke të marrë me vete për ditë më të lumtura.
Ndërkaq, Besa Pupa thotë se në poezinë e Planetës ka gjetur burimin e emocionit, ku nuk kishte nevojë për zbukurime dhe fraza të zbrazëta.
“Në secilën poezi ka diçka te veçantë, ka një mesazh që të bën për vete. Poezia e Planetës është një fuqi shtytëse të lexoj sa më shumë poezi në të ardhmen.
Planeta, një karakter aq i ndjeshëm, i dashur, në mënyrë shumë origjinale, pasqyron të vërtetën e dhimbjes, dëshirës për të mbijetuar, dashurisë ndaj fëmijëve, e cila pasqyrohet në mënyrën më estetike të mundshme.
Vlerat artistike që kam hasur në krijimet e Planetës më kanë lënë mbresa të thella dhe do vazhdoj me ëndje të lexoj krijimet e saj”, thekson Pupa.
Në vazhdim japim disa poezi të zgjedhura nga ky libër:
VASHAT RROJNË SA MALET
Ngris flamurin e ngritëm në këmbë
Ngjallem në mbetjen e kohës
e dëshirave të një gruaje
Betohem si malli i gurit
Jam një trup që gjak nuk qes dot
E kur frymëzimi më vjen
Zemra hermetizohet sërish
Ti kallëzues klithmash
Vë djersë ballit tim
E unë përleshem si një heroinë e kujtimeve
Pushtojë dashurinë e fatit që të ndëshkon
Thyhet pasqyra e mllefit të marrëzisë
Përpjekje kalash, unë nuk kthehem
Nuk zhbëhet leximi i fjalëve
Fitoret e forcave brohorisin
kur me sy mbyllur ëndrrës i dhuroi lindje
Marshoj ditën e festës së shpirtit të harruar
Mbi luftën për të jetuar
Zemra e fjalë nuk u thyhen
Jemi përemra vetorë
Drita të trazuara
luftëtare të dalluara
Jemi qëndresë, kështjellë e kthesë
Kurrë nuk gjunjëzohemi
Stolisim qafën me gjerdan
E në mënyrë bindëse festojmë
I përkasim botës tonë
Dhe jetës që jetojmë
Vashat rrojnë sa malet
Shpallim liri, lindje dhe dashuri.
MBI FORCËN TIME
Ndez flokësen e mundohem
Të thaj flokët që më janë grisur
Shpejtësia e zgjedhjes të së bukurës
Dy herë mbi këmbë më ngjyros
Gëlltiten dëshirat përmes buzëve
Ngrohtësia e kësaj pasqyre
Në këmbë më sjell një burim
Vuajtja e ndërgjegjes
Ngulet gjithnjë sipër
Rri e mendo
Zbatohet lajmërimi i ndërprerjes
Flijohet me kënaqësi
Mesnata, pëshpëritjet
Kur të mbyllet rruga
Më ndiq në terr
Moszbatimi i heqjes së vështrimit
Vëzhgohet gjithnjë
Kush fajëson sytë
Rrëzohet faji i ditës
Gërshetimet mëshirore
Mbajnë forcën time
Mbi shqyerjet e emrave të rrugëve
E ndiej ndjenjën e saj
Çlirohem, kur dëgjoj këngën e rrëfyer
Të zhvendosjes, kur jemi të përqafuar
Sa herë do të bësh gjumin e dashurisë
Do të jem duke menduar
A do të shpëtosh nga vala e fundit
E mendimit që nuk zhvishet
Vazhdoj të ndiej tutje natën e saj
Të gjitha zhurmërimet e jetës
Nuk mund t’i nguros
Harroj udhëkryqet
Duke ngatërruar rrugët
Shpall largësitë
E fitoj humbjen e forcës.
TI QESHE ME LOTËT E MI
Mohon domethënien e vuajtjes
Individualisht injoron idetë
E ndryshuar nga koha e imponuar
Zvarritet poshtë e lart
E mërzinë time
Nuk ma merr pranë
Bujaria e njeriut jeton në iluzionet
E lumturisë së paprekshme
Kur unë qaja
Zbrazej çdo gjë rreth
Meje
Fjalët ngushëlluese më ngjasonin
Me malin e vetmuar
Ku vetëm bishat bëjnë gjumin
Me hezitim bindës
Del nga dhoma ime
Dje, sot, nesër
Kjo jam unë
Nuk më simbolizon argëtimi më
As buzëqeshja e çastit
Andaj përbuzem e përplasem në
Fytyrë
Rraskapitja e eshtrave të mi
Nuk mund t’i afrojë vitet e kaluara
Plagët nuk shërohen dot
Përqendrimi, forca, melankolia
Shtrëngojnë
Fort dorën time
Por kurrë nuk kuptova
Në çfarë bote jetova!
Ti qeshe me lotët e mi!