Gjatë ditës së sotme nga Klinika Infektive pritet të lirohen dy pacientë pasi që janë shëruar plotësisht nga koronavirusi.
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të lirohen nga Klinika Infektive dy pacientë të cilët kanë arritur të shërohen plotësisht nga koronavirusi.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), deri më tani në vend janë 855 persona të prekur me koronavirus, ku 403 tashmë janë shëruar plotësisht.
Me shërimin e këtyre dy pacientë, numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 405 në Kosovë.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sot me datë 05.05.2020, janë hospitalizuar gjithsej 33 raste me Covid-19 pozitiv, ndërsa sot lirohen 2 pacientë të shëruar nga infeksioni me Covid -19.
Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid -19 është si vijon:
Nga 33 pacientë me Covid-19, 26 raste janë në gjendje stabile, 5 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Në mjekimin intensiv të klinikës janë duke u trajtuar dy pacientë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive.
Që të dy pacientët kanë sëmundje kronike të veshkëve dhe janë në dializë.
Në klinikë janë gjithsej 5 pacientë Covid- 19 pozitiv të cilët janë në dializë e cila është duke u realizuar në repartin e klinikes.
Raport i hartuar nga Dr. Sadije Namani,
specialiste-infektologe, Klinika Infektive, QKUK.