Gazeta Sinjali mëson për një ngjarje tronditëse që ka ndodhur sot pasdite në Prishtinë, ku një grua është plagosur me thikë nga partneri i saj, i cili më pas është gjetur i vdekur në banesën e tij.
Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Sinjali nga burime të Policisë, rreth orës 15:08 është pranuar një informatë për një incident të dhunshëm që ka ndodhur në rrugën “B”, në hapësirat e ordinancës stomatologjike “Alba Dent”.
Viktima, R.I, rreth 31-vjeçare dyshohet se është therur me thikë në dorë nga i dashuri i saj, Festim Isufi. Ajo është takuar nga njësia policore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor. Burimet tona konfirmojnë se e lënduara është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, i dyshuari, Festim Isufi, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në rrugën “B”, tek ndërtesa “Dervisholli”, kati i gjashtë, hyrja 18. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar rrethanat, në koordinim me prokurorin kujdestar, për të sqaruar motivin dhe mënyrën e saktë të ngjarjes. Trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
Kjo ngjarje e rëndë risjell në vëmendje nevojën urgjente për qasje më të thelluar dhe më të përgjegjshme institucionale dhe shoqërore ndaj shëndetit mendor, si dhe nevojën për sistem mbështetës për personat në krizë.
