Kosova duhet të jetë shumë e matur në takimet e grupeve punuese nën udhëheqjen e koordinatorit Skënder Hyseni, që të mos pranojë diskutimin për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.
Serbia po mundohet ta shtyjë procesin e krijimit të bashkësisë serbe në Kosovë, për të krijuar një ndarje etnike që do t’i përngjante Rregullimit federativ të Bosnjë Hercegovinës , ku bashkësia serbe atje, mund të bllokojë çdo proces që nuk i konvenon Serbisë dhe serbëve.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar në Bruksel shumë vite më parë, por ajo duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, pasi të prononcohej Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për mundësitë e cenimit të kushtetutës së shtetit.
Gjykata Kushtetuese pas vlerësimit të gjithanshëm , ka konstatuar se asociacioni , cenon sovranitetin e Kosovës dhe si i tillë që është, u jep të drejtën serbëve të kenë organe ekzekutive , me çka rrezikohet shteti i Republikës së Kosovës.
Tani Serbia ka filluar paralajmërimet e mosvazhdimit të bisedimeve me Kosovën, nëse nuk formohet asociacioni i bashkësisë serbe dhe për këtë indirekt duket se e ka mbështetjen e BE-së e cila, megjithatë në takimet e fundit nuk e ka kushtëzuar Kosovën për hapje të kësaj teme.
Serbia siç kishte paralajmëruar edhe shefi i delegacionit të saj në takimin e fundit në kuadër të dialogut në Bruksel, po kushtëzon pjesëmarrjen në dialog me shprehjen e gatishmërisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Madje Gjuriqi kishte përmendur edhe “besën e shqiptarëve” duke bërë thirrje që, sipas tij asociacioni të formohet.
Asociacioni i Komunave me epërsi serbe, mund të formohet vetëm pasi ta njeh Serbia Kosovën si shtet, apo krijimi i kësaj bashkësie serbe mund të bëhet vetëm në një pako finale të njohjes reciproke Kosovë-Serbi, ku faktori serb në Kosovë, i nënshtrohet juridiksionit të shtetit. Safet Krivaca /Kosovarja/