Mbrëmë në New York u mbajt ndarja e çmimeve të MTV Video Music Awards 2021.
Shfaqja, me nikoqire yllin Doja Cat, u transmetua në MTV e po ashtu edhe në: CMT, Comedy Central, Logo, MTV2, Nickelodeon, Paramount Network, Pop, TV Land, VH1 dhe The CW Network.
Sivjet, nga artistet shqiptare me famë botërore e nominuar ka qenë vetëm këngëtarja e popullarizuar, Dua Lipa.
Bukuroshja me prejardhje nga Peja ishte e nominuar në kategoritë si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë”, “Kënga më e mirë latine” dhe “Regjia më e mirë”.
Me gjithë sukseset e vazhdueshme dhe çmimet e shumta, 25-vjeçarja këtë vit nuk arriti të shpërblehet me ndonjë çmim.