fbpx

Erdogan zhvillon bisedë telefonike me Kurtin dhe Vuçiqin

nga Revista Kosovarja

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një njoftim të Presidencës turke, përmes rrjetit social Twitter, bëhet e ditur se në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zhvillimet në veri të Kosovës.

“Gjatë bisedave [telefonike] ku u trajtuan edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, presidenti Erdogan për zhvillimet që po ndodhin në veri të Kosovës u shpreh se sigurimi i progresit në procesin e dialogut është mënyra e vetme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në njoftim.

Turqia i bashkohet kështu reagimeve nga vendet e Perëndimit që bënë thirrje për kthim në dialogun e Brukselit dhe qetësim të situatës në tri komuna në veri të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]