Manifestimi i 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt para pak ditësh në Prizren, ka shpërfaqur një ekskluzivitet që ndodh rrallë në histori. Janë takuar aty pjesëtarët e tri familjeve me nam historik, ashtu sikur e kanë bërë historinë: Tre mbiemra të mëdhenj të historisë, stërnipërit e Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës dhe të Ismail Qemalit, shkruan “Kosovarja”.
Edhe më surpizë ka qenë njohja me ish- bashkëshorten e djalit të tetë të Isa Boletinit, Asllan Isa Boletinit, zonjën Hasibe, aktualisht 94-vjeçare, nënë e katër vajzave, e cila u rimartua në Prizren, pasi që ia vranë më 1945 bashkëshortin, Asllan Isa Boletinin.
Hasibja ka rrëfyer për herë të parë kush e mori djalin e tetë të Isa Boletinit, Asllan Boletinin, për ta ekzekutuar në Prishtinë shërbimi sekret jugosllav, që kish nisur të konsolidohej, për ta vazhduar një Jugosllavi fashiste, duke i pastruar personalitetet patriotike që ishin për bashkim me Shqipërinë.
Të mërkurën e 24 qershorit, në restorantin e bukur buzë liqenit artificial të lumit Ibër, në Mitrovicë, Gazmend Boletini, dukej më i emocionuar se kurrë.
Në një ambient të qetë, pak metra nga Ibri, ku ndahet jugu e veriu i Kosovës, Gazmend Boletini, që përfaqëson familjen Boletini në Mitrovicë, herë pushtohej nga lotët, herë nga dridhja e zërit kur fliste për një moment ekskluziv, që nuk e kishte pritur të ndodhte.
Për takimin me ish-bashkëshorten e djalit të tetë të Asllan Isa Boletinit, zonjën Hasibe, me të cilën ishin takuar para pak ditësh në Prizren, së bashku me stërnipërit e Ismail Qemalit dhe stërnipërit e Hasan Prishtinës.
Prizreni ishte pushtuar nga tre mbiemra të njohur, që kishin qenë përfaqësues të historisë shqiptare, në kohët kur mbrojtja e trojeve shqiptare përshkohej fuqishëm nga zërat e delegatëve që përfshinin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, në përpjekje ta mbronin copëtimin, si dhe të përforconin themelet e unitetit vëllazëror ndërshqiptar dhe territorial etnik.
Asllani-djali i tetë i Isë Boletinit
Stërnipërit e Isa Boletinit, të Ismail Qemalit dhe të Hasan Prishtinës rimarrin Prizrenin pas 144 vitesh
Ishin aty për ta përkujtuar 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit, njeriut të madh të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912 në Vlorë.
Gazmend Boletini, që është përfaqësuesi i vetëm autentik i familjes së Isa Boletinit, në Mitrovicë, ka bërë shumë që të ripërtërihet historia e Boletinëve, e që identifikohet me patriotizëm shqiptar të Kosovës.
Në luftë për ta rikonfiguruar historinë deri në ditët e sotme, Gazmend Boletini ka qëndruar në krye të betejës, për ta bërë krenare Republikën e Kosovës me historinë e Boletinëve dhe për ta vënë në vend gurin e historisë që peshon vetëm në vendin e vet.
Gazmend Boletini, që po punon ditë e natë pa përkrahjen e shtetit, të gjitha tubimet kombëtare i ka bërë dhe po i bën me përkrahje private, duhet ta ketë trajtimin korrekt institucional nga shteti.
Shteti i Republikës së Kosovës duhet ta mbulojë Gazmendin për punën e bërë historike që t’i jep shtetit pietetin e vet meritor.
Si u takua në Prizren, me prijësit kombëtarë të të gjitha trojeve dhe me zonjën Hasibe, ish-bashkëshorten e djalit të tetë të Isa Boletinit, Asllan Boletinit, Gazmendi thotë:
“Sivjet e kishim 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku historia tregon më së miri luftën politiko-ushtarake për pavarësim të shqiptarëve nga Perandoria Osmane.
Morën pjesë shumë mysafirë, nga të gjitha viset shqiptare: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi.
Mirëpo, për ekskluzivitet mund të them se kemi shkuar bashkë me pinjolin e Hasan Prishtinës, zotin Mehmet Prishtina.
Në Prizren e takuam edhe stërnipin e Ismail Qemalit, z. Qamil Vlorën. Aty takuam edhe pasardhësin e Sylejman Vokshit.
E, ajo që ishte për mua e madhe është fakti se u takova me bashkëshorten e Asllan Isa Boletinit dhe me vajzat e saj, çka i falënderoj njerëzit që arritën të na takonin me këtë familje.
Nexhdet Loxhaj, djalë i axhës së nënës sime, ka pasur kontakte telefonike me vajzën e Hasibes dhe, kështu, kemi rënë në kontakt me Hasiben, ish-gruan e Asllan Boletinit, djali i tetë i Isës.
Asllani ka qenë jurist, avokat. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte edhe kryetar i Vushtrrisë, më 1941, kur forcat gjermane hyjnë në territorin e Kosovës.
Ai, pastaj, ka kaluar në Prizren, ku kishte lidhje me Qazim Bllacën dhe me patriotët tjerë të lëvizjes së asaj kohe.
Por, ajo që ishte me rëndësi është se Asllan Boletini është hartuesi i programit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizuar nga 16-20 shtator 1943, e njohur si Lidhja e Dytë e Prizrenit.
Kuvendi u mbajt në praninë e delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajt, Novi Pazarin, Sjenicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Dibrën, Gostivarin, Ohrin.
Në të morën pjesë 45 delegatë. Përfaqësues ishin Musa Shehu, Asllan Isa Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasani, Qemail Balia, Hivzi Meraku, Lukë Simoni, Haxhi Fahrija dhe Sokol Dobroshi. E, sekretar ishte zgjedhur Bedri Gjina.
Asllani ka qenë i martuar me Hasiben, nga Prizreni. Por, me dobësimin e Gjermanisë, e që ishte në prag të kapitullimit, filluan të ndryshojnë gjërat dhe nisën të vriten njerëzit eminentë të lëvizjes patriotike, si nga partizanët ashtu edhe nga udbashët.
Ajo që kam dëgjuar me mijëra herë në shtëpinë time për zonjën Hasibe, që ishte një bashkëshorte shumë besnike ndaj Asllanit, më kishte bërë kureshtar gjithë jetën që ta plotësoja shpirtin, të paktën, me një histori më të afërt për të, sepse thuhej se ajo kurrë s’e kishte harruar ish-burrin, Asllan Isa Boletinin.
Por, kur e dëgjova se si fliste për Asllanin, u emocionova tepër…
Zonja Hasibe, edhe pse tashmë 94-vjeçare, ka kujtesë të mrekullueshme për të kujtuar gjithçka që ka përjetuar për dy vite me ish-burrin e saj, Asllanin”.
Qamil Vlora - stërnipi i Ismail Qemalit,Mehmet Prishtina- stërnipi i Hasan Prishtinës, Hasibja- bashkëshortja e Asllanit dhe Gazmend Boletini stërnipi i Isë Boletinit
Kush e vrau Asllan Isa Boletinin?
Zonja Hasibe thotë se burrin ia morën udbashët e Fadil Hoxhës.
“Pasi e kanë arrestuar Asllanin, ai i ka lutur të del nga vetura dhe të përshëndetet me Hasiben. Ata e kanë lejuar.
Dhe, pasi është përshëndetur me Hasiben, është ndalur para veturës dhe e ka shikuar me dhembje, sikur më nuk do e shihte kurrë.
Pas një kohe kanë ardhur të tjerë udbash dhe i kanë thënë Hasibes eja dhe shihe Asllanin, sepse ka bërë vetëvrasje në burgun e Prishtinës.
Hasibja u kishte thënë se nuk do të shkonte me ta, pasi nuk donte ta shihte bashkëshortin të vdekur, por donte ta kujtonte një Asllanin dinamik, si e njihte gjithmonë…
Ajo e dinte se Asllani nuk mund ta vriste veten, sikur i kishin thënë ata që erdhën ta merrnin. E dinte mirë se ata vetë e kanë vrarë”, thotë Gazmendi.
Gazmendi: Nuk e kam ditur se Hasibja ende ishte gjallë
“Jeta na ka ballafaquar me probleme, prandaj nuk e kam ditur se ende është gjallë gruaja e Asllan Boletinit”, kështu e përshkruan momentin e takimit me Hasiben, Gazmend Boletini.
“Vajza e saj, Melihaja, tregon se si nëna, Hasibja, e përmendte shpesh Asllanin edhe para babait të saj, pra burrit tjetër.
Ajo tregonte se kurrë nuk janë bërë xheloze, kur nëna u tregonte detaje nga jeta martesore me Asllan Isa Boletinin.
E, as burrit të saj kurrë s’i kishte ardhur keq kur ajo fliste për ish-burrin…
Në një moment ajo nxori një foto nga fasuleta. Ishte fotografia e saj me Asllan Isa Boletinin, e bërë sa kishin qenë në martesë. E kishte ruajtur me kujdes të veçantë, siç ruhet kujtimi i paharruar…
Unë nuk e kam ditur se Hasibja ende ishte gjallë, derisa ma tha Nexhdet Hoxha, kushëri i nënës. Vajza e tij jetonte në të njëjtën lagje me Hasiben.
Kam qenë tepër kureshtar me e takuar Hasiben dhe me mësuar prej saj se çfarë ka ndodhur me Asllanin.
Dhe, nga ajo mësova se atë e kishin vrarë. Por, nuk ia dinë varrin. Një mike e imja, Rita Salihu, më tha se kur jemi ngritur për të ardhur në shtëpi, u ngritën vajzat e saj ta qojnë në këmbë Hasiben, por Hasibja nuk pat nevojë për ndihmë…
I kishte ardhur një fuqi, sa doli vetë deri te dera e shtëpisë, gjë që nuk e bënte ditëve tjera…
Hasibja paskësh thënë më pas, meqë erdhi dikush nga Boletinët t’më vizitoj, më paska ardhur fundi i jetës…
U kam thënë vajzave të Hasibes se dëshirojmë ta ruajmë vazhdimësinë dhe t’i publikojmë në media vuajtjet e familjes Boletini, sepse atë ditë u folën shumë fjalë për Boletinët dhe për Asllanin në Prizren si kryetar.
Atë ditë folëm edhe si janë shpërndarë Boletinët në tërë botën, si në Bosnjë, Gjermani, Itali, Angli, madje edhe në Sao Paolo të Brazilit!
Nuk dihet me numër sa jemi gjithsej, por di se jemi shumë”.
Familjet Boletini nga mbarë bota pritet të takohen në Mitrovicë
“Nga takimet në rrjete të ndryshme sociale, jam duke provuar që të gjithë Boletinët nëpër botë t’i tubojë në Mitrovicë”, thotë Gazmendi dhe shton:
“Ashtu qysh kam arritur t’i tubojë në shumë momente, do e bëjë edhe këtë gjë. Ata janë krenarë kudo që jetojnë në botë, sepse janë stërnipër të Isa Boletinit.
Ata e dinë kush ka qenë gjyshi i tyre, Isa Boletini, si dhe si është vrarë në pabesi në Mal të Zi, me djemtë e tij dhe bashkëluftëtarët”.
Çka i tha Isa Gazmendit, derisa i mbante eshtrat e tij nën shtratin ku flinte?
Gazmendi ka treguar për revistën tonë, “Kosovarja”, edhe detaje tjera të palodhshme, si sakrifica për ruajtjen me fanatizëm të eshtrave të Isa Boletinit dhe për këto detaje thotë:
“Gjenet dhe gjaku nuk të tradhtojnë kurrë, sepse është dhuratë e Zotit të flasësh me trashëgimtarët edhe kur nuk i njeh ata. E, mua më ka ndodhur kjo me eshtrat e Isës, derisa i mbajta nën shtrat.
Kur e kishim kohën e varrosjes së eshtrave të Isa Boletinit, në vendlindje dolën fjalë se ai duhej të varrosej në Vlorë…
Por, ai kishte lënë amanet qyshkur sulltani i kishte ofruar grada ushtarake. Por, ai kishte thënë më shumë e dua gurin e Boletinit sesa sarajet e Stambollit!
Kur ne i kemi larguar eshtrat e bashkëluftëtarëve të Isës, te kushëriri ynë në Isniq, në familjen e z. Vesel Boletinit, për shkaqe sigurie, unë i mora vetëm eshtrat e Isës me vete.
Askush nuk e dinte se eshtrat e tij ishin te unë. Unë flija në shtrat, kurse eshtrat e Isës i kisha nën të, për arsye sigurie.
Një natë më ka folur në ëndërr Isa Boletini dhe më tha:
“Të përgëzojë për krejt çka ke bërë për mua deri më tash, por në Vlorë mos më qo!”.
Kështu, ma bëri me dije se në Boletin e ka vendin. Dhe, sot, varri Isës peshon në vendlindje, sepse vizitohet nga njerëz të të gjitha trojeve shqiptare…
Te varri i Isës vijnë delegacione, nxënës, studentë, media dhe Buletinit i është rikthyer pamja e dikurshme dhe nami që kishte dikur…
Dhe, me iniciativën e Kuvendit të Kosovës është ndarë edhe buxheti për ndërtimin e Kullës së Burrave në Boletin. Kanë filluar punimet dhe janë në fazë ndërtimi, e që menaxhohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
Çka i lidhë Boletinët me Radishevën e Shotë Galicës?
“Isa Boletini i kishte tri martesa, prej të cilave kishte 9 djem e 5 vajza. Martesa e parë ka qenë me Qamilen, nga fshati Suhogërll i Drenicës.
Qamilja ishte vajza e axhës së Shotë Galicës. Pra, Isa ishte baxhanak me Ahmet Delinë dhe Azem Bejtën.
Ajo ishte motra e Halit Ahmetit, një luftëtar i madh në Drenicë dhe ishte kushërirë e parë me gruan e Ahmet Delisë së Prekazit.
Martesa e dytë ishte me Hamiden, nga fshati Radishevë e Drenicës. Dy vëllezërit e saj, Hajdari e Selimi, u vranë me Isën në Podgoricë, në pritë të malazezëve.
Martesa e tretë ishte me Gjylen, nga fshati Sushicë e Istogut. Më vonë Isa do të miqësohej edhe me Hasan Ferrin dhe dy vajzat e Hasanit do të martoheshin për dy djemtë e Isës.
Andaj, lidhjet familjare të Isës më Radishevën kanë qenë shumë të ngushta dhe të forta. Kur janë kallë kullat e Isës, më 1908, Tafili e ka bart Isën të plagosur në shpinë deri në fshatin Kutllovc. Nga aty i kanë quar fjalë Ahmet Delisë për konak.
Nga aty Isa ka shkuar në Isniq, ku e ka shëruar me barëra popullorë gjyshi i Sylë Tahirsylës”, përmbyllë rrëfimin Gazmendi.
Hasibja-bashkëshortja e Asllanit me Gazmendin
Ç’bën Gazmend Boletini tash?
“Qe katër-pesë vjet jam duke punuar në zbardhjen e detajeve të nëntë djemve të Isa Boletinit. Dhe, për këtë i falënderoj institutet e Historisë së Shqipërisë dhe të Maqedonisë.
Në dokumente kam gjetur foto të papublikuara dhe të papara deri më tani. Ato dokumente nuk është ditur se ekzistojnë. Ato do të përmblidhen në një libër të veçantë, në gjuhën shqipe dhe angleze, për 9 djemtë e Isës, sepse secili është histori më vete…
Çka do të përfshihet në atë libër?
Shkollimi, kontributi, si dhe vrasja e dy djemve – Halilit dhe Zaitit, në Podgoricë.
Shtatë djemtë tjerë kanë shërbyer gjithkund në trojet shqiptare. P. sh., Ademi, ka qenë pedagog i shkollave Durrës -Tiranë – Shkodër.
Pajaziti, djali i pestë, ishte komandant i xhandarmërisë në qeverinë e Xhafer Devës, e që ka shërbyer deri në momentin kur më 1943 hyjnë forcat partizane. Nga aty ai emigron në Kajro të Egjiptit.
Atje martohet me motrën e mbretit Zog, Megjiden. Deri më 1954 kanë jetuar në Kajro, kohë kur Naseri e rrëzon Farkun prej pushtetit. E, prej aty kalojnë në Francë, në oborrin mbretëror”. Safet Krivaça /Kosovarja/
Familja e gjer e Isë Boletinit