Avokati i familjes së ish-pjesëtarit të UÇK-së, Hasan Dakajt i cili është arrestuar nga autoritetet serbe, konsideron se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.
Avokati Xhevdet Smakiqi thotë se familjarët kur kanë shkuar në vizitë te Dakaj, ia kanë vërejtur një hematomë mbi vetull.
“Në vazhdimësi jemi në kontakt me avokatin që sipas detyrës zyrtare e ka caktuar shteti serb. Atij me datën tre mars i skadon muaji i dytë që po mbahet i kidnapuar dhe informacionet e fundit janë shqetësuese për faktin se pas vizitës që e ka pasur nga familjarët kanë vërejtur një hematomë mbi vetull të Hasan Dakaj, ku nuk dihet se nga çka i është shkaktuar. Ne konsiderojmë që ndaj tij është ushtruar dhunë fizike”, ka thënë avokati.
Avokati Smakiqi theksoi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, MPJD, i ngarkuari me punë në Beograd që ta informojnë çdo organizatë ndërkombëtare, ndërmjetësit në Bruksel, Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi, si dhe Kryqin e Kuq për rastin e tij.
“Do të kërkojmë tani si avokat i familjes së Hasan Dakajt që të shkojë në vizitë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë, apo organizatat tjera që merren me mbrojtën e të drejtave dhe lirive të njeriut në mungesë të një kujdesi nga qeveria dhe shteti jonë”, deklaroi ai
Smakiqi theksoi se familja Dakaj është e shqetësuar edhe për faktin se komunikimi me të përveç vizitës që i është lejuar bashkëshortes dhe djalit të tij, nuk ka ndonjë komunikim të rregullt.
Sipas tij, mbajtja në paraburgim respektivisht kidnapimi i tij në nënkupton që ai është në rrezik edhe për jetë.
“Shpresojmë që Qeveria e Serbisë e kanë kidnapuar gabimisht sepse nuk e ka identifikuar askush Hasan Dakajn si të dyshuar për rastin për të cilin pretendon Prokuroria e Serbisë”, tha avokati në InfoPlus