Është gjetur e vdekur në banesën e saj në Florida, Allison Guerriero, ish-partnerja e ish-drejtuesit të kundërzbulimit të FBI-së në New York, Charles McGonigal. Guerriero, e cila kishte qenë në një lidhje rreth 18 muaj me McGonigal, kishte folur publikisht prej vitesh për dyshimet e saj lidhur me aktivitetet e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.
Në orët para vdekjes, ajo kishte publikuar një seri mesazhesh dhe videosh në platformën X, ku kritikonte ashpër FBI-në dhe kërkonte që hetimet të mos përqendroheshin vetëm te McGonigal. “E urrej FBI-në”, deklaronte ajo në një prej videove.
Në një tjetër postim, Guerriero shkruante: “Ju e dini emrin e Charles McGonigal, por më parë nuk e dinit. Ju njihnit Jim Comey-n, njihnit Chris Wray-n… Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i njihni?”.
Babai i saj, Bill Guerriero, tha se familja nuk e di ende shkakun e vdekjes. “Ne vërtet nuk e dimë ende. Po presim raportin e autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident, mund të jetë rrëzuar ose mund të ketë ndodhur diçka tjetër”, deklaroi ai.
Policia e Boynton Beach shkoi në apartament rreth orës 20:03 të së enjtes dhe sipas informacioneve paraprake nuk janë konstatuar shenja të dukshme të ndërhyrjes kriminale.
Guerriero kishte pretenduar më herët se gjatë lidhjes me McGonigalin kishte gjetur 80 mijë dollarë në apartament. Ajo kishte thënë se ai i kishte shpjeguar se paratë ishin fituar nga bastet sportive, ndërsa vetë dyshonte se shuma lidhej me pagesa të tjera.
Pas ndarjes së tyre në vitin 2018, Guerriero tha se kishte kontaktuar persona brenda FBI-së për të shprehur shqetësimet e saj.
“Më kishte ardhur në mendje: Ky njeri është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim”, kishte deklaruar ajo.
Charles McGonigal u arrestua në janar 2023 dhe u dënua në dy çështje federale në SHBA. Ai pranoi fajësinë për bashkëpunimin me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe për shkeljen e sanksioneve amerikane. Në një tjetër çështje, ai u dënua për marrjen e 225 mijë dollarëve nga ish-agjenti shqiptar i inteligjencës Agron Neza dhe për fshehjen e kontakteve me zyrtarë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Edi Rama sipas rrëfimeve të Allison Guerrieros. Në total, McGonigal u dënua me më shumë se gjashtë vite burg.
Deri tani, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë asnjë provë se vdekja e Allison Guerrieros lidhet me një akt kriminal. Hetimet vijojnë, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes.
