U dënua të mërkurën një gjermane pasi po e mbante një vajzë, e komunitetit fetar Yazidi, si skllave gjatë kohës me grupin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Ajo u dënua me nëntë vjet e tre muaj burgim.
Gjykata e dënoi 37-vjeçaren për krime kundër njerëzimit, anëtarësimin në organizatë të huaj terroriste dhe dhënie ndihme në gjenocid, raportoi DPA.
Gjykata ka thënë se e dënuara për tre vjet kishte abuzuar vajzën e re “për interesat e veta si skllave”. Ka shpjeguar tutje se bashkëshorti i saj e kishte sjellë vajzën në shtëpinë e tyre dhe vazhdimisht e përdhunonte.
Prokurorët kanë thënë se gruaja udhëtoi në Siri me bashkëshortin në vitin 2014 dhe iu bashkuan IS-it. Më 2015 çifti lëvizi në qytetin e Irakut, Mosul, ku ata e mbajtën vajzën.
E dënuara u arrestua në mars 2022 pasi u soll në Gjermani nga një kamp i Sirisë.
Ky gjyq është një prej disave në Gjermani ku përfshihet gra që kanë udhëtuar në rajone të kontrolluara nga IS-i në Siri dhe Irak.
Në një rast, një gjermane e konvertuar në islam u dënua më 2021 mbi akuzat se ajo lejoi një 5-vjeçare Yazidi të cilën ajo dhe bashkëshorti e mbajtën si skllave, të vdiste nga etja në diell.