Sot në mbarë botën do të festohet Halloween-i, një nga festat më të njohura, më të frikshme dhe më argëtuese të vitit. Kjo ditë, që dikur kishte kuptim fetar e ritual, sot është kthyer në një festë kulturore që bashkon miliona njerëz në një atmosferë plot ngjyra, mister dhe fantazi.
Origjina e Halloween-it
Halloween-i ka rrënjë të lashta në festimet kelte të “Samhain”-it, që datojnë mijëra vite më parë. Keltët besonin se në natën mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit, kufiri mes botës së të gjallëve dhe botës së të vdekurve bëhej i paqartë, dhe shpirtrat mund të ktheheshin në Tokë. Për t’u mbrojtur nga frymërat e liga, njerëzit ndiznin zjarre dhe vishnin maska për t’i trembur ato. Me kalimin e kohës, kjo traditë u përzie me festat e krishtera si Dita e të Gjithë Shenjtorëve (All Hallows’ Day) dhe u transformua në atë që sot njihet si Halloween (Hallows’ Evening) – “mbrëmja e shenjtë”.
Si festohet
Në ditët e sotme, Halloween-i është bërë një simbol global i argëtimit. Fëmijët veshin kostume të frikshme ose humoristike, shkojnë derë më derë duke thënë “Trick or Treat” për të mbledhur ëmbëlsira, ndërsa të rriturit organizojnë festa me tematika horror, muzikë, maska dhe dekorime të jashtëzakonshme.
Një nga elementet më të njohura të kësaj feste është kungulli i gdhendur, i njohur si “Jack-o’-lantern”. I ndriçuar me një qiri nga brenda, ai simbolizon shpirtin që endet nëpër botë gjatë natës së Halloween-it. Filmat horror, shtëpitë e frikës, paradat me kostume dhe dekorimet e shtëpive janë tashmë pjesë e pandashme e festimeve në shumë vende të botës.
