Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA.
Ai ka bërë me dije se vizitinë e tij e ka filluar në takim me asistentin special të presidentit Biden, ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si edhe me drejtoreshën për Ballkan dhe Evropën Qendrore (KSK), Kathleen Larkin.
Hamza ka bërë me dije se mesazhi që mori ishte i qartë: SHBA-ja qëndrojn pranë nesh dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në partneritet për paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera Hamza.