Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës që të shqyrtojë mundësitë e lirimit të përkohshëm të një pjese të të burgosurve në kohën e pandemisë së coronavirusit.
Haxhiu në një letër drejtuar Komisionit për Legjislacion ka kërkuar që gjatë seancës së Kuvendit, e cila mbahet nesër, të shqyrtohen mundësitë dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët në të mirë të pjesës së shoqërisë, “që janë të privuar nga liria gjatë gjendjes emergjente”.
“Në adresë të Ministrisë kemi pranuar shumë peticione nga të burgosurit lidhur me mundësitë e lirimit të përkohshëm të tyre, por po ashtu edhe kërkesa nga organizatat që monitorojmë institucionet korrektuese, siç janë KMDLNJ-ja, QKRMT-ja, Terre des Hommes Kosovë, si dhe Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare”, thuhet në këtë letër.
“Ne kemi analizuar bazën ligjore përkitazi me kërkesat e të burgosurve dhe të organizatave dhe më lejoni të ju njoftoj që as unë si ministre, por as drejtori i SHKK-së nuk kemi të drejtë të bëjmë diçka të tillë”, shkruhet në letrën e Haxhiut.
Haxhiu ka kërkuar nga Komisioni Parlamentar që të gjendjet një zgjidhje për lirimin e rasteve që kanë dënime të ulëta. “Për të ecur më tutje nevojitet bashkëpunim ndërmjet Kuvendit, gjegjësisht Komisionit tuaj. Përmes bashkëpunimit do të mundë ta gjenim një zgjidhje të përbashkët, që do të mundë ta shtynim bashkërisht e sidomos për rastet që kanë dënime të ulëta për vepra më të lehta, të miturit, por edhe vajzat dhe gratë”, ka thënë Haxhiu në letrën e saj.
Sipas një shkrese drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, të burgosurit në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës kanë kërkuar që personat, të cilët konsiderohen të parrezikshëm për shoqërinë, t’i lirojnë përkohësisht ose disa të transferohen në arrest shtëpiak. “Edhe pse një vendim i tillë mund të jetë në kundërshtim me etikën e sistemit të drejtësisë, sidoqoftë në kontekstin e pandemisë që po hasim dhe për të siguruar sa më shumë që të jetë e mundur mirëqenien dhe sigurinë tonë dhe të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, besojmë se ky është vendim i arsyeshëm dhe i përshtatshëm për të parandaluar përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse brenda Qendrës”, thuhet në kërkesë.