Dimri i vitit 1877- 1878 do të jetë fatal për popullsinë shqiptare të rajonit të Sanxhaku të Nishit, atëherë nën Perandorinë Osmane.
Duke përfituar nga humbja e osmane në luftë kundër rusëve dhe kushtet e paqes, por edhe përkrahjen e fuqive evropiane të kohës, Principata Serbe (Pashallëku i Beogradit), nisi luftës kundër Perandorisë Osmane, duke sulmuar viset e Sanxhaku të Nishit.
Pa ndonjë rezistencë nga Ushtria Osmane, për pak muaj serbët pushtuan Nishin e qytetet tjera, Kurshumlinë, Prokuplën, Vranjën, Leskocin e Pirotin.
Ushtria serbe masakroi dhe dhunshëm shpërnguli pothuajse gjithë popullsinë e atij rajoni, pjesa dërmuese e së cilës ishte e etnisë shqiptare.
Hulumtimet e bëra nga studiuesit kosovarë në arkivat e huaja, sidomos ato evropiane flasin për krime të tmerrshme të kryera nga ushtria serbe.
Vendimit e Paqes së Shën Stefanit, e më pas të Kongresit të Berlinit, veç sa thelluan edhe më tragjeditë e popullsisë shqiptarë të viseve që u pushtuan nga Serbia.
Jusuf Buxhovi, historian, shkrimtar e publicist, ka thënë për KALLXO.com se pas humbjes nga rusët, Perandoria Osmane u detyruan të bëjë koncesione të mëdha në dëm të territoreve shqiptare, ndërsa Kongresi i Berlinit, i përligji pushtimet e territoreve nga fqinjët.
“Kongresi i Berlinit, që filloi më 13 qershor 1878, e detyroi Rusinë të tërhiqet nga pushtimet e saj dhe të aleatëve të saj (bullgarëve), por pranoi pushtimet serbe në hapësirën Nish-Kurshumli, me ç’rast u pranua Serbia si shtet i pavarur bashkë me Malin e Zi, ndërsa Bullgarisë iu pranua autonomia e gjerë”, ka thënë ai.
Buxhovi shton se për këto ngjarje ka mjaftë dokumente në arkivat e huaja, sidomos në ato gjermane dhe austriake.
“Duhet sqaruar se në dokumentet e këtyre arkivave, nuk përmenden shqiptarët, si viktimë e luftës ruse-serbe e as ruse-osmane, por vetëm shtetasit e perandorisë osmane. Kjo ka të bëjë me faktin se popullata osmane nuk shënohej sipas kombësisë, po sipas besimit (mileti-osman – ku bënin pjesë edhe shqiptarët e besimit islam) dhe mileti-romej (të krishterët). Pra, në dokumentet meritore të arkivave gjermane, austriake dhe italiane po edhe të tjerave, përmenden shtetasit osman si viktimë e këtyre luftërave si dhe shpërngulja e tyre e dhunshme drejt Kosovës dhe Turqisë”, thotë ai.
Këtu zë fill, thotë Buxhovi, edhe keqkuptimi se “shqiptarët nuk u përfillën në Kongresin e Berlinit qëllimisht” e të ngjashme, por anashkalohet fakti se ata nuk ishin të pranuar si komb, gjë që i përjashtonte nga çfarëdo trajtimi politik dhe diplomatik në Kongres.
Ndonëse sipas tij, në raportet diplomatike (të konsujve nga Ballkani) dhe ato të Vatikanit, përmenden shqiptarët si viktima të kësaj lufte, kjo nuk mjaftoi, që në aspektin diplomatik dhe politik çështja të legjitimohet në përputhje me të drejtën etnike dhe historike të tyre, siç do të ndodhë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, pasi që Shqipëria të shpallte pavarësinë më 28 nëntor 1912, prej nga shqiptarët u legjitimuan si komb.
Pasojat e atyre zhvillimeve dhe Kongresit të Berlinit, sipas Buxhovit ishin të mëdha. Serbia, që u pranua ndërkombëtarisht nuk respektoi vendimet e këtij Kongresi.
“Kongresi i Berlinit solli edhe tri vendime: i pari garantonte kthimin e popullatës së zhvendosur gjatë luftimeve në shtetin e quajtur Serbi, nëse ajo kthehej. Me vendimin e dytë, popullatës që nuk kthehej, i garantohej dëmshpërblimi i pronave. Ndërsa me vendimin e tretë, popullatës që nuk kthehej, por dëshironte t’i mbante pronat, ato u garantoheshin, me kusht që të dëshmoheshin me tapi valide”, ka thënë ai.
Por, shton më tej Buxhovi, kjo nuk ndodhi.
“Arsyet dhe shkaqet janë të shumta, ndër të cilat, gjithsesi kanë të bëjë edhe me marrëveshjet e fshehta të Perandorisë Osmane me Rusinë, që një pjesë të kësaj popullate ta zhvendoste në vilajetin e Kosovës (gjoja për ta forcuar atë) dhe një pjesë tjetër ta vendoste në Lindje, po ashtu për qëllime strategjike! Se këtu ka pasur qëllime të qarta të kësaj natyre, këtë e dëshmojnë edhe marrëveshjet jugosllavo-turke të viteve të tridhjeta për shpërnguljen e popullatës ‘turke’ në Turqi marrëveshjet për shkëmbimin e popullatës midis Turqisë dhe Greqisë, që shkuan në dëm të popullatës shqiptare në të dry drejtimet”, ka thënë Buxhovi.
Pavarësisht zhvillimeve dhe masakrave që po kryenin serbët në viset e pushtuara, fuqitë e kohës nuk bën gjë për t’i parandaluar.
Austro-Hungaria dhe Rusia, që kishin interesat e tyre në pjesë evropiane të Perandorisë Osmane, sipas Buxhovit bënin kujdes që luftërat e serbëve, grekëve, bullgarëve që mbroheshin nga Rusia, të mos preknin interesat e tyre jashtë marrëveshjeve që kishin qysh në takimin e vitit 1889.
“Ato ishin marrë vesh për ndarjen e katër vilajeteve: Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës fifti-fifti, pra përgjysmë, në çastin që Perandoria Osmane do të largohej nga pjesa evropiane”, ka potencuar ai.
Edhe pse të mbuluara me dokumente dhe lehtë të qasshme, historiografia shqiptare nuk ka bërë sa duhet për t’i ofruar publiku shqiptar atë se çfarë kishte ndodhur më 1877/78.
“Shqipëria dhe Kosova kanë pasur mundësi të krijojnë një ekip studiues në kuadër të Institutit të Historisë, për hulumtimin e gjithë problematikës që lidhet me këto luftëra, prej nga mund të nxirrej e vërteta për pasojat e saj, duke filluar nga shpërnguljet e deri te gjenocidet, siç ishin ato të viteve 1878, 1912 dhe 1919”, thotë Buxhovi.
Sipas tij, ajo që tashmë mund të bëhet është trajtimi shkencor i këtyre ngjarjeve në përputhje me dokumentet relevante që gjenden në arkivat gjermane, austriake, britanike, ruse, serbe osmane dhe të tjera.
“Ato që ka bërë Jusuf Osmani, Sabit Uka e ndonjë tjetër, duhet vlerësuar, por mbesin të shkëputura, nëse nuk hartohet një projekt shtetëror për trajtimin e tyre shkencor në përputhje me dokumentet e arkivave të fuqive të mëdha, që në mënyrë aktive ose të tërthortë, morën pjesë në proceset që përcollën krijimin e shteteve në hapësirën evropiane të Perandorisë Osmane nga kriza lindore e deri te luftërat ballkanike, kur mori fund pushtimi pesëqind vjeçar osman në këto hapësira”, ka thënë Buxhovi.
Bilanci, vrasjet dhe humbja e pronave
Bilanci i pushtimeve në vitet 1877/78 të zonave të Sanxhakut të Nishit nga Serbia, ishin të tmerrshme.
Jusuf Osmani thotë se ushtria serbe më ndihmën edhe të ushtrisë cariste të Rusisë dhe të disa shteteve evropiane, arriti të dëbojë më se 250,000 banorë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit.