I nominuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se nesër do të finalizohet marrëveshja e koalicionit mes LDK-së, AAK-së, Nismas, Listës Serbe dhe AKR-së, që sapo e konfirmoi se është pjesë e koalicionit.
“Besoj që nesër do të përmbyllim marrëveshjen dhe do të dalim me përbërjen e qeverisë së re. Me disa prej partive të koalicionit jemi duke i finalizuar edhe emrat e ministrave, por edhe parimet e qeverisjes sepse kjo për mua është esenciale”.
Edhe pse në AKR pati ndryshime qëndrimesh sa i përket koalicionit, Hoti sot tha se kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit.
Ai gjithashtu tha se sapo të jenë gati do të dërgojnë shkresën te presidenti për t’i treguar se e kanë shumicën.
Hoti tha se e ka prioritet t’i kthehet “miqësive të lënduara” dhe për këtë tha se ka një ekip të shkëlqyer.
Kur u pyet se çka mendon për deklaratat e fundit të ish-shefit të tij, Albin Kurti, që tha se Hoti është një kryeministër i dobët që do t’i shërbejë presidentit, u përgjigj duke thënë se ai e di se çfarë zëvendëskryeministri ka qenë dhe se kjo i takon të kaluarës.