fbpx

“I kam dy tentim-vrasje dhe 27 armëmbajtje pa leje”, reperi nga gjilani krenohet publikisht se është i lirë me gjashtë aktakuza

nga Revista Kosovarja

Gjilan – Që nga viti 2015 e deri më tani, gjashtë (6) aktakuza janë ngritur ndaj Ardian Xhaferit, i njohur ndryshe si ‘‘The mike’’, anëtar i grupit muzikor ‘‘E7’’, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Gjilanit për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkohë, Ardian Xhaferi, në një paraqitje televizive është krenuar se i ka dy tentim-vrasje, 27 akuza për armëmbajtje pa leje dhe akuza të tjera përfshirë vjedhje dhe për posedim droge.

“63-64 janë aktive. Duke nisur nga fajde, tentim-vrasje, prej vjedhjes, prej drogës, prej armëmbajtjes pa leje. Krejt llojet e mundshme që ekzistojnë në Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Xhaferi, kur është pyetur se për çka ndiqet nga organet e hetuesisë.

“I kam dy tentim-vrasje dhe 27 armëmbajtje pa leje”, ka shtuar Xhaferi, në një intervistë të para nëntë muajve, për ‘‘Gjoni Black me Meriton Mjekiqin’’.

Por, sipas Prokurorisë në Gjilan, Xhaferi një aktakuzë e ka për veprën penale: “Lëndimi i lehtë trupor’’ dhe ‘’Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’’. Një akuzë tjetër për ‘’Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’.

Sipas Prokurorisë, “‘The Mike” ka aktakuzë edhe për veprën penale ‘’Vjedhja e shërbimeve’’, aktakuzë për veprën penale ‘’Vjedhja e rëndë’’, si dhe një aktakuzë për veprën penale ‘’Kanosja’’.

“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në adresë të Gjykatës Themelore në Gjilan më 11 gusht për të marrë informacione se ku ndodhen lëndët e Xhaferit. Mirëpo, në një përgjigje automatike, është thënë se përgjegjësi është në pushim deri më 22 gusht. Deri më tash, 24 gusht, kur po publikohet ky tekst, Gjykata Themelore në Gjilan nuk ka kthyer përgjigje.

“Nga data 9 gusht deri më 22 gusht gjendem në pushim vjetor”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

As Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione se për çfarë veprash penale hetohet Xhaferi me arsyetimin se këto të dhëna janë të mbrojtura me ligj.

‘‘Betimi për Drejtësi’’, ka pyetur edhe në Prokuroritë tjera Themelore, atë të Prishtinës, Pejës, Gjakovës Ferizajt dhe Prizrenit nëse i njëjti ka aktakuza të ngritura jashtë asaj të Gjilanit. Nga Prokuroria e Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt kanë thënë se s’kanë ndonjë kallëzim penal apo aktakuzë ndaj Xhaferit.

Për liderin e grupit ‘‘E7’’ në media është raportuar se i njëjti në vitin 2012 ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burg për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Edhe para 3 viteve, Gjykata Themelore e Gjilanit, Xhaferit i kishte caktuar masën e paraburgimit prej tre muajsh pasi dyshohej për sulm me sëpatë dhe me thikë ndaj një personi në Gjilan.

‘‘Të pandehurit E. K. dhe A. Xh. dyshohet se me datë 27 janar 2019, në parkingun e kafiterisë ‘’Astoria’’, në Gjilan, kanë marr pjesë në një konflikt fizik me të pandehurin G. A., me që rast i kanë shkaktuar lëndim trupor, në atë mënyrë që me dashje dhe përgatitje paraprake, me sëpatë dhe thikë në gjatësi prej 50 cm, e kanë sulmuar të njëjtin’’ thuhej në njoftimin e Gjykatës.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]