fbpx

I veshur si ‘Teta Gjyli’, Osmani tregon se si një burrë i kërkoi numrin e telefonit duke menduar se ishte femër

nga Revista Kosovarja

Aktori Osman Azemi është i njohur për shumë role humoristike, por një ndër më të spikaturat mbetet ai i ‘Tetës Gjyli’ nga seriali komik “Egjeli”.

Aktori i cili pas një bashkëpunimi 20 vjeçar me miqtë e tij Vedat Bajrami dhe Mensu Safqiu, i ndanë rrugët për të punuar në projekte të tyre individuale, ka treguar se roli e ‘Tetës Gjyli’ është ai prej të cilit më së shumti e identifikojnë njerëzit.

Në një intervistë të fundit për “Prive”, Azemi ka treguar një rast shumë interesant kur e kanë ngatërruar në komunikacion, duke menduar se është vërtet femër.

Kjo ka ndodhur kur atij i ishte dashur të shkonte në një emision mëngjesi i maskuar si ‘Teta Gjyli’ dhe gjatë kohës sa ishte duke shkuar me veturë në emision, duke pritur në semafora ai tregoi se një person nga vetura tjetër i kërkoi numrin e telefonit, duke menduar se ishte vërtet një femër në timon.

“Isha në veturë dhe njëri më shikonte dhe pak ma bënte me dorë, e hapa xhamin dhe më tha: ‘Të kam parë diku, a bën numrin e telefonit?’”, tregoi ndër të tjerash aktori, duke shtuar se i kishte treguar atij një numër të trilluar.

E një rast i ngjashëm i kishte ndodhur edhe në banesën e tij, kur një fëmijë i vogël kishte trokitur në derë me dëshirën për ta takuar ‘Tetën Gjyli’ pa e ditur se ajo nuk është një personazh real jetësor.

“Isha një ditë në banesë vetëm edhe ra zilja, kur dal një djalë i vogël dhe më tha: ‘A bën ‘Tetën Gjyli’ me ma thirre? I thashë: Po unë jam, dhe më tha: Mos bëj shaka me mua por thirrm ‘Tetën Gjyli’”, tregoi mes të qeshurash aktori, duke shtuar se për të mos e zhgënjyer vogëlushin i kishte thënë se ‘Teta Gjyli’ ndodhej në banjo.


Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]