Në fshatrat Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës, është inauguruar parku i erës “Selac Windpark”. Mbi 170 milionë euro janë investuar për këtë projekt, ku fuqia e përgjithshme e instaluar është 105 megavat në orë.
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në mëngjesin e sotëm kanë marrë pjesë në inaugurimin e këtij parku.
Ata kanë thënë se ky është projekti më i madh i investimit në historinë e Kosovës.Në projektin e erës ne Bajgorë janë vendosur 27 turbina.
Me këtë rast Kurti ka thënë se kjo do të ndihmojë në prodhimin e energjisë së gjelbër dhe furnizimin e përgjithshëm me energji elektrike.
“Prodhimi i energjisë nga ky park do të përfshijë 10 përqind të kapaciteteve të instaluara. E dyta, është zvogëlimi i emisionit të dioksidit të karbonit të 2700 tonëve. E treta, që kjo do të kontribuojë në furnizimin e përgjithshëm të energjisë që ndihmon në plotësimin e nevojave tona. Posaçërisht pas krizës së stinës së dimrit. Qeveria është munduar të përballojë me nevojat e këtyre kërkesave të energjisë, duke i mbështetur ekonomitë familjare. Zgjidhja e vetme është energjia e ripërtritshme. Ky është projekti më i madhi që është investuar ndonjëherë në Kosovë”, ka thënë ai.
Edhe shefja e diplomacisë se Gjermanisë, Annalena Baerbock ka thënë se me këtë investim, qytetarëve do t’u mundësohet të kenë ajër të pastër. Sipas saj, ky është hap i mirë për kalimin e Kosovës në energji të gjelbër.
“Është projekti më i madh në historinë e Kosovës së pavarur. Shumë kompani nga Gjermania kanë punuar për të shndërruar këtë në realitet. Projekti përfshin edhe investime të shteteve që së fundmi e kanë njohur Kosovën dhe këtë që ka bërë së fundmi, Izraeli. Parku i erërave është dëshmia e zhvillimit të arriturës ekonomike. Ju përgëzoj për atë që është bërë deri më tani. Ne jemi të lumtur që kjo do të jetë shtatë vjet për ndërtimin e parkut të erës”, ka thënë ajo.
Projektet për prodhimin e rrymës nga era në Bajgorë janë zhvilluar nga kompania kosovare-gjermane-izraelite SOWI Kosovo.
Janë gjithsej tri projekte të ndara të emëruara ‘Selaci 1’; ‘Selaci 2’ dhe ‘Selaci 3’, secila me nga 35 megavat në orë fuqi të instaluar. Fuqia e përgjithshme e instaluar e projekteve është 105 megavat në orë.
Sipas përlogaritjeve, projektet do të prodhojnë rreth 320 gigavat orë energji elektrike në vit dhe kanë jetëgjatësi prej 25 vitesh