Kuvendi i Kosovës që aktualisht ka hyrë në rrugë pa kokë, po zbaton politika inatesh që i ka vënë para interesave qytetare për çka e ka obligim të merr vendime në përputhje me nevojat e popullit.
Kjo përbërje parlamentare, po tregon se partitë jo që nuk i kanë tejkaluar inatet e vjetra, por ato janë thelluar edhe më shumë.
Kjo përbërje parlamentare, ka hequr dorë nga buka e qytetarëve dhe po merret me akuza e kundërakuza ndaj njëri tjetrit.
Gjendja aktuale me Gjykatën Speciale, ka hapur rrugë që shumëkush ta përdor retorikën e dëshirave kundër njëri tjetrit në stilet armiqësore, bazë e pa bazë ligjore e njerëzore.
Gjërat kanë shkuar deri aty sa të shtyhen me bërryla para kamerave transmetuese për publikun edhe për të pagjeturit, për të cilët më të dashurit e tyre dhe familjarët, ende lotojnë ditë e natë dhe nuk e bëjnë gjumin e qetë.
Le të mendojë ky legjislativ në të cilin provojnë bërrylat se, si nënë Ferdonie Qerkezi vendos pjatat ushqimore në tavolinën e vetmuar ku han bukën në shtëpi, kur dikush thotë botërisht “na keni lodhur me të pagjeturit”,siç e tha zv. kryeministri Driton Selmanaj.
Le të mendojë dikush më direkt se, si një nënë e ka hapur prej vitesh varrin për të vetmin djalë që kishte , në pritje të eshtrave të tij .
Le të mendojë ky parlament se, si e ka lënë popullin në krizën më të thellë ekonomike të pasluftës, duke mos e miratuar ligjin për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, përderisa vetes ia lejojnë luksin e shtyrjes me bërryla para syve të popullit duke shfryrë inatet personale.
Dikujt i është hapur tani dera e shfryrjes së inateve të vjetra, meqë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë arrestuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ky parlament e ka më të rëndësishëm votimin e ligjeve që janë ekzistencial për qytetarët në këtë krizë ekonomike, sesa të vrapojnë pas simbolikave të Rugovës, ndërkohë që vetë nuk posedojnë e as nuk përfaqësojnë asgjë nga presidenti historik Ibrahim Rugova e as nga filozofia e tij politike.
Shumë të tillë që veprojnë pas simbolikave pompoze, ish presidentin Rugova e përdorin vetëm për fushata elektorale dhe për moral politik në parlemanet.
Qytetarët më mirë se kushdo tjetër i njohin se kush është rugovistë e kush jo. Safet Krivaça / Kosovarja /