Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se askush nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës, në qoftë se i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar.
Mustafa tha se kjo është në dorën dhe përgjegjësinë e vetë atyre dhe se nuk është as Grenell, Borell apo Lajçak që ndryshojnë kufijtë dhe shkëmbejnë territore.
“Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.
Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojmë me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës”, tha Mustafa.
Sipas tij, duhet besuar në ShBA-të dhe në Bashkimin Evropian dhe se duhet besuar në Kosovë dhe se kjo është e vetmja qasje për dialogun.
“Popullzimi dhe lufta e shtrigave nuk na qon askund. Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundërshtarë dhe armiq. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet”, tha tutje Mustafa.
Kryetari i LDK-së shtoi se Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe këta kufij, kësisoj thotë edhe Deklarata e Pavarësisë dhe se s’ka arsye të hapet kjo temë.
“Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu. Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO. Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik”, përfundoi ai.