Ish-ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati ka ndarë përvojat e prindërve të tij në luftë me coronavirusin. Ai ka bërë të ditur se ata tashmë janë shëruar.
“Pas 12 ditësh qëndrimi në Klinikën e Pulmologjisë për shkak të infektimit me Covid-19 sot babi me një përmirësim të dukshëm të shëndetit u kthye në shtëpi. Shenjat e para i ka pasur më 6 korrik, përderisa mami shenjat e para i ka pasur më 4 korrik. Ndonëse fillimisht edhe për shkak të shëndetit të mirë e ka përballuar më lehtë se mami, edhe pse testi i parë i doli negativ, temperatura e vazhdueshme dhe problemet me frymëmarrje bënë që ai të shtrihet në pulmologji, përderisa mami me një shëndet më të brishtë, arriti ta kaloi më lehtë”, ka shkruar Murati.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar miq, shokë e familjarë,
Pas 12 ditësh qëndrimi në Klinikën e Pulmologjisë për shkak të infektimit me Covid-19 sot babi me një përmirësim të dukshëm të shëndetit u kthye në shtëpi. Shenjat e para i ka pasur më 6 korrik, përderisa mami shenjat e para i ka pasur më 4 korrik. Ndonëse fillimisht edhe për shkak të shëndetit të mirë e ka përballuar më lehtë se mami, edhe pse testi i parë i doli negativ, temperatura e vazhdueshme dhe problemet me frymëmarrje bënë që ai të shtrihet në pulmologji, përderisa mami me një shëndet më të brishtë, arriti ta kaloi më lehtë. Sigurisht kanë qenë ndër njerëzit më të kujdesshëm në respektimin e masave të rekomanduara nga institucionet shëndetësore dhe qeveritare, përkundër se në periudhën e relaksimit të përgjithshëm edhe tek ata ra pak gardi mbrojtës.
Sot po dua të falënderoj të gjithë ata që në këto momente të vështira jo vetëm na u gjetën pranë por edhe ishin në krye të detyrës. Dua të falënderoj tërë stafin e pulmologjisë, infermierët, dr. Flamur Marku si dhe mjekët e tjerë klinikës. Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj kryeinfermieren znj. Arta Sejdiu e cila në çdo moment ishte në krye të detyrës, në shërbim të pacientëve e edhe në shërbim të babit. Po ashtu dua të falënderoj teknikët e oksigjenit Shem Beka dhe Ekremin që me punën e tyre janë një ndihmesë e madhe për të gjithë pacientët dhe na u gjetën shumë edhe për babin. Ekipi i Obiliqit me teknikun medicinal Ajet Berisha (të cilit i uroj shërbim të shpejtë nga Covid-19 dhe kthim në vijën e parë të frontit të luftës kundër tij) e mjekun Asdren Behrami dhe me ndihmën e drejtorit të QKMF-së dr.Haki Jasharin ishin qenësor në ditën kritike për ta transportuar babin në pulmologji njëkohësisht duke ia ofruar ndihmën e nevojshme.
Dhe në fund, por jo për nga rëndësia e falënderoj familjaren time, kardiologen Aurora Bakalli n, këshillat, rekomandimet dhe ndërhyrjet e së cilës që nga infektimi i prindërve të mi me Covid-19 ishin qenësore për të zëvendësuar të gjitha dështimet e sistemit shëndetësor në të gjitha hallkat në këtë rast (për të cilat do të flas një ditë tjetër).
Për më tepër intervenimi i saj pas parametrave të përkeqësuar shëndetësor të babit (ndonëse fillimisht doli negativ në test e pas shtrimit në spital pozitiv) më 16 korrik ishte qenësor që ai të shtrihej në spital e të mos vazhdonte në banesë të trajtohej. Vazhdimi i trajtimit në banesë pas keqësimit të parametrave të saturimit dhe temperaturës së vazhdueshme ka mund ose të jetë fatal ose të krijoi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë trajtimin e babit.
Sigurisht dua të falënderoj edhe të gjithë shokët, miqtë e familjarët që janë interesuar vazhdimisht për shëndetin e prindërve dhe kanë ofruar ndihmën e tyre.
Për fund dua të theksoj se Covid-19 vazhdon të jetë një sëmundje e pabesë, me shumë të panjohura për shkencën. Përderisa babin e dërgoi në spital, një njeri që nuk e mbaj mend ndonjëherë të sëmurë e të shtrirë përkundër se tani do t’i mbush 70 vjeç dhe këtë verë edhe përfundimisht përshëndetët me studentët e Fakultetit Juridik dhe punën aktive në UP, agresiviteti i kësaj sëmundjeje po del të jetë jashtëzakonisht i paparashikueshëm. Andaj u lus të gjithëve të mos e nënçmoni.
Mos i nënçmoni edhe masat që duhet të marrim.
Për të t’ia lehtësuar jetën vetes, të tjerëve dhe sistemit tonë shëndetësor i cili është buzë kolapsit ju lutem mbani distancën, mbani maskat dhe përshëndetuni me dorën në zemër.
Ashtu siç e theksove në ditët në vijim do të flas edhe për të metat, vrimat e dështimet e sistemit shëndetësor dhe atë që unë mendoj se mund të rregullohet me ndërhyrje jo shumë të mëdha