Ushtria izraelite ka konfirmuar se “ka kryer një sërë sulmesh” në Bejrut të Libanit gjatë natës, duke thënë se kishte në shënjestër “objektet e ruajtjes së armëve” dhe pjesë të tjera të infrastrukturës së Hezbollahut.
Zëdhënësi në gjuhën arabe për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit lëshoi urdhra evakuimi për disa lagje përpara atyre që ai tha se do të ishin sulme ndaj objektivave që i përkisnin grupit militant të mbështetur nga Irani, përcjell Insajderi.
Siç raporton CNN, aty u dëgjuan shpërthime të vazhdueshme për disa orë.
Sulmet e së shtunës mbrëma ishin ndër më të gjatat dhe më intensivet që nga fillimi i luftës.
“Jomana Karadsheh e CNN-it tha se sulmet e së shtunës mbrëma ishin ndër më të gjatat dhe më intensivet që ajo ka parë që nga fillimi i luftës. Fillimisht ekipi dëgjoi tinguj gjëmimi, pasuar shkreptima në distancë, pastaj dëgjuan shpërthime. Të paktën dy nga goditjet shkaktuan ato që dukej të ishin shpërthime dytësore – topa zjarri që nganjëherë ndriçonin qiellin e natës, të shoqëruara nga shpërthime që jehonin në të gjithë qytetin”, thuhet në përshkrimin e mediumit amerikan për sulmin e djeshëm në Bejrut.