Në gjithë këtë qervish politik, siç po e thotë shumëkushi, ka mbetur të përshkruhet diçka më ndryshe, për shembull: Si qeshen liderët tanë politikë?
Për shembull: Po e nisim nga të mëdhenjët: Kur qeshet Isa Mustafa, del pak si duke qarë… Kur qeshet Hashim Thaçi, del pak si duke kafshuar…
Kur qeshet Ramush Haradinaj, del se nuk po din të qeshet fare. Kur qeshet Kadri Veseli, del aq i relaksuar, thua se është kah e kalon pubertetin.
Kur qeshet Albin Kurti, edhepse po qeshet rrallë , nuk po i shkon qeshja për fytyrë. Kur qeshet Fatmir Limaj, lë të kuptosh, se lumturia banon vetëm në shpirtin e tij. Kur qeshet Avdullah Hoti, që ndoshta po vjen kryeministër, duket më shumë si gjynah…
Ai që po mbetet rregullisht i zhgënjyer dhe me lotë është vetëm një: Populli.
Populli , ka vite, që ka harruar të qeshet, të qeshet me zemër. E ku ta marrë atë motiv për të qeshur nga se ndjehet i lumtur?
Ku të gjendet ajo lumturi? Po, qeshet me budallakinat e liderëve , të cilët nuk po na kursejnë as në këtê kohë të virusit korona. O të qeshesh prej zori o të çmendesh . / Kosovarja/