Shkalla e vetëvrasjeve në Japoni ka rënë për 20 për qind në muajin prill, krahasuar me të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar, duke e bërë rënien më të madhe në pesë vjet.
Pavarësisht frikës se pandemia e koronavirusit mund të rriste stresin, kjo gjë duket se nuk po ndodh.
Kalimi i më shumë kohe në shtëpi me familje, udhëtimi më i paktë në punë dhe shtyrja e fillimit të vitit shkollor – janë ndër faktorët që po shihen si faktorë në këtë rënie, shkruan The Guardian, përcjell Express.
Në prill, vetëm 1455 njerëz vranë veten në Japoni, ose 359 më pak se në prillin e vitit të kaluar. Vetëvrasjet kanë qenë në rënie në Japoni që kur u arrit kulmi në vitin 2003 me 34 mijë sosh.
Vitin e kaluar ishin mbi 20 mijë, dhe kjo rënie në numrin e vetëvrasjeve erdhi mu në kohën kur ekzistonte frika e madhe se pandemia mund ta kishte rritur.
Infeksionet e reja me koronavirus arritën kulmin në mes të prillit në Japoni, me më shumë se 500 në ditë, duke e detyruar qeverinë që ta shpallte gjendjen e emergjencës, megjithëse restriksionet ishin më të lehta se sa ato të vendeve tjera.
Masat e qëndrimit në shtëpi kishin afektuar organizatat e parandalimit të vetëvrasjeve, me rreth 40 për qind prej tyre që ose ishin mbyllur ose punonin me orar të reduktuar, duke bërë që të rritej brenga për njerëzit me depresion.
Në Prishtinë është hapur së fundi një linjë besimi në telefon për njerëzit që kanë probleme me shëndetin mendor. /Express
