Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Udhëzimi administrativ për vendosjen e kuotave tatimore në import, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës javën e kaluar do të shkaktojë kaos në importe.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook ai ka thënë se ky udhëzim do të riorganizojë tregtinë me jashtë mes kompanive kosovare dhe vendeve nga vijnë importet, si edhe do të pamundësojë importin me çmime më të lira.
Ish-kryeministri shkruan se pasojat do t’i bartin qytetarët pasi çmimet e mallrave nga importi do të rriten, duke e rënduar koston e shportës së konsumit.
Gjithashtu ai kritikoi disa nga odat ekonomike për mos reagim ndaj vendosjes së këtij ligji.
“Është e pakuptueshme se si disa nga odat ekonomike nuk po reagojnë për këtë anomali në politikat tregtare.
Në vend të masave për mbështetje të prodhuesve vendor për të zëvendësuar mallrat nga importi, këta qeveritarë miratojnë udhëzime për administrim të importeve”, ka shkruar ndër të tjera.