Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

KE: Kosova kualifikohet për pagesa nga Plani i rritjes, nëse i përmbush kushtet

nga Revista Kosovarja

Komisioni Evropian (KE) ka thënë të premten se Kosova, njëlloj si vendet e tjera, do të kualifikohet për t’i pranuar pagesat nga Plani i rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor, nëse i përmbush kushtet e kërkuara.

Mbi artikull

Por, zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen e Radios Evropa e Lirë (REL) nëse masat e tanishme ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës do të vlejnë edhe për mjetet nga kjo paketë e veçantë financiare.

“Kosova, sikur edhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, konsiderohet e kualifikuar për fondet nga Plani i Rritjes, nëse i përmbush kushtet për pagesa”, tha Pisonero për Radio Evropa e Lirë.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Moneytizer Paragrafi 4

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Autoritetet kosovare argumentojnë se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave.

BE-ja është duke e shqyrtuar tani heqjen shkallëzore apo të menjëhershme të këtyre masave. Për këtë pritet një raport i përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Ndërkohë, në lidhje me planin 6 miliardë eurosh që u miratua zyrtarisht së fundmi për Ballkanin, Pisonero e ka përsëritur se, për Kosovën dhe Serbinë, parakusht për të përfituar pagesa nga kjo paketë është angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

“Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor paraqet një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për t’i forcuar kushtet socio-ekonomike. Po ashtu, ai parasheh edhe qasje progresive në tregun unik të BE-së, me kusht që të arrihet përparim edhe në tregun e përbashkët rajonal dhe mekanizmat për reforma intensive” shtoi ajo.

Ajo nënvizoi se Plani i Rritjes nuk është alternativë për procesin e zgjerimit në BE-së, “por është një ofertë, e cila do ta ndihmojë dhe përshpejtojë këtë proces”.

Pisonero ka përsëritur se janë disa kushte të rrepta që do të kërkohen nga vendet e rajonit për të siguruar pagesat nga kjo paketë.

“Pagesat nga paketa e rritjes do t’iu nënshtrohen kushteve strikte. Kjo nënkupton edhe reformat në fushat kryesore edhe ato socio-ekonomike. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ka një parakusht të përgjithshëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve të tyre përkatëse, që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin e zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, nënvizoi ajo.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Pisonero u bëri jehonë deklaratave të vazhdueshme të zyrtarëve të BE-së se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është thelbësor në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, pasi i cilëson ato si detyrim për të dyja palët.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]