Në Shqipëri, Kuvendi vendosi të afrojë për nesër seancën, në të cilën do të votohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish zëvendës-kryeministrit Arben Ahmetaj.
Afrimi i datës nga e hëna në të premte erdhi pas tensioneve të gjata në sallë, ku përfaqësuesit e opozitës, këmbëngulën, që votimi të bëhej sot.
Zoti Ahmetaj, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza në hetimet për incineratorëve, u largua nga vendi pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit.
Ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë po betohej deputeti i ri socialist, që zuri vendin e deputetit të dorëhequr të Krujës Rrahman Rraja, deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, duke kërkuar që të futej në rendin e ditës votimi i kërkesës së SPAK-ut për të arrestuar ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.
Pas protestave këmbëngulëse të opozitës, konferenca e kryetarëve vendosi që seanca për votimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për të arrestuar ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj të zhvillohet nesër, ndërsa më herët ishte vendisur për të hënën.
Fillimisht kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla kundërshtoi futjen në rendin e ditës të kërkesës për arrestimin e deputetit Ahmetaj, duke përmendur afatet, përmbajtjen e dokumentit dhe njoftimin e deputetit.
“Nuk mund të hedhim në votim një çështje, që nuk ka lëndë. A janë njoftuar deputetët përmes raportit të këshillit të mandateve? Jo. A është njoftuar deputeti? Jo, nuk është njoftuar. Regullorja parashikon dy javë kohë, por ne kemi vepruar në mënyrë shumë serioze dhe shumë dinjitoze në respect të drejtësisë dhe të regullave të parlamentit”, tha zonja Nikolla.
Opozita kërkoi që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në seancë plenare, dhe të hyjë në rendin e ditës dhënien e miratimit për arrestimit e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.