Pas shirave të shtatorit, kërpudhat e para janë shfaqur nëpër pyje. Prej disa vitesh tashmë, njohësit e tyre i sjellin menjëherë në tregjet e mëdha prej nga vijnë në shtëpitë tona apo restorante! Kërpudhat champignions janë më të përhapurat, prandaj i kemi zgjedhur për të bërë këtë recetë!
Për 4 persona:
500g kërpudha, 2 kungulleshka mesatare, 100g pancetë të ëmbël, 1 qepë, 1 thelb hudhër, 1 tufë majdanoz, 2-3 domate të thata, 50g gjalpë, kripë, piper sipas dëshirës.
Përgatitja:
Kërpudhat i pastrojmë me ujë të rrjedhshëm dhe i lëmë të kullohen mbi një pecetë të thatë. I presim bishtat deri në fund dhe i grijmë në copa të vogla. Në një tigan me pak gjalpë vëmë të skuqet qepa e grirë hollë derisa të zbutet. Shtojmë copat e kërpudhave, pastaj pançetën dhe i skuqim për pak minuta. Shtojmë edhe kungulleshkën e prerë në kubikë dhe i skuqim të gjitha bashkë. I kriposim dhe piperosim. Kapelat e kërpudhave i skuqim me pak gjalpë nga të dy anët. Me masën e përgatitur mbushim kërpudhat dhe i rreshtojmë në një tavë. I vëmë të piqen në furrë me 180 gradë për 30 minuta. Shoqërohen me krem beshamel, në të cilin kemi miksuar edhe 2–3 domate të thata.