Emri shpesh i definon njerëzit, karakterin e tyre dhe shumëçka tjetër. Asaj i shkon shumë emri që ka: Kështjella.
Ish “Miss Universe Kosova”, Kështjella Pepshi, ka karakter të fortë, një histori jete ku ka dhimbje e triumfe dhe një pamje që të lë pa fjalë e pa frymë, siç të lë romani “Kështjella” i Kadaresë, nga ku edhe e mori emrin.
Misi tashmë është me shpirt e trup në muzikë, madje ka dalë edhe në “MTV”, e shumë shpejt mund të jetë mes yjeve të mëdhenj të industrisë së muzikës.
Për jetën e saj, kurorën dhe këngën, flasim ekskluzivisht në “Kosovare”…
Kështjellë, kush ta ka lënë emrin?
– Emrin e kam nga babai. Posa kishte mbaruar së lexuari romanin “Kështjella”, nga Ismail Kadare, i kishte thënë mamit që nëse fëmija na lindë vajzë, emrin do e këtë Kështjella.
Si ka qenë fëmijëria jote, kujtimet e asaj kohe?
– Fëmijëria ime ka qenë si e shumë fëmijëve të tjerë. Por, kujtimi që ende e kam të freskët është kur e zura vendin e parë në këndim, në manifestimin e gjithë nacionaliteteve nga mbarë bota “Multi-Kulturelle”, ku prezantova Kosovën.
A do të doje të riktheheshe në fëmijëri?
– Nuk them po, sepse aty gjej dhimbjen e humbjes së babait. E, kthimi do më takonte me atë dhimbje të madhe për mua. Do të kthehesha vetëm në vitet kur babai ishte gjallë dhe ta përqafoja edhe njëherë.
Kanë ardhur e shkuar shume mise, por emri yt është ruajtur në kujtesën e njerëzve. Sipas teje, a thua pse?
– Njerëzit më mbajnë në mend dhe kjo më gëzon. Më bëhet qejfi për këtë dhe jam, disi, e obliguar që edhe unë të bëj diçka për ata që më respektojnë, më duan e nuk më harrojnë.
Mund ta kujtosh edhe një herë se si u ndjeve kur fitove “Miss Universe Kosova”?
– Isha shumë e lumtur. Atë moment e kujtoj kthjelltë.
A ka qenë kurora ëndrra jote?
– Po, ishte ëndrra ime e asaj kohe…
Sot, a ndihesh e përkëdhelur kur të thonë “mis”, kur ta kujtojnë fitoren?
– Pa dyshim, po, sepse ai moment ishte një triumf dhe ndër momentet më të bukura e të paharruara. Shpesh më vjen në mendje kur u thirr nga moderatori emri im – fituese e kurorës.
Po ashtu, edhe më madhështor atë spektakël e ka bërë prezenca në jurinë kryesore, e mikut të madh të shqiptarëve, Viliam Vokerit.
Në fakt, çka konsideron fitore të vërtetë e triumf në jetë Kështjella Pepshi?
– Triumf i vërtetë për mua është shkollimi. E, aktivitetet e tjera janë pjesë e jetës që më plotësojnë.
Nuk dukesh nga ato vajzat e bukura që gjatë gjithë kohës duan të jenë në qendër të vëmendjes. E drejtë, apo përshtypje e gabuar?
– Nuk gaboheni fare, sepse e pëlqej shumë thjeshtësinë. Nuk dua që gjatë gjithë kohës vëmendja të jetë në mua, madje diçka e tillë do t’më dukej e tepërt.
Ka kureshtje për jetën tënde private. Kush është protagonist në jetën tënde të përditshme?
– Gjëja më me rëndësi në jetën time është familja. Por, momentalisht mjaft e rëndësishme është edhe muzika, kënga. Për më tutje, të shohim…
Cila është lidhja jote me muzikën dhe kur u krijua?
– Prirjen për të kënduar e kam trashëguar nga nëna, e cila këndon shumë bukur.
Cilat janë shtigjet e karrierës tënde muzikore?
– Shtigjet e karrierës sime kanë filluar që nga shkolla. Kam kënduar në manifestime shkollore, koncerte etj. Dhe, gjithashtu, kam fituar disa çmime.
Kështu, dashuria për këndimin sa vinte e shtohej dhe unë bëhesha përherë e më fanatike e këngës.
Në vitin 2016 realizova projektin e parë, këngën “Too many miles”, e cila zuri vend në “MTV”. Pas këtij suksesi realizova dhe disa Cover-a. Tashmë kam realizuar këngën e re që titullohet “Who cares”, që është me muzikë dhe tekst timin, kurse producent është Lorenc Schaler, producenti muzikor më i njohuri në Zvicër.
Tema e këngës flet për dritën dhe terrin, e shpresoj shumë se do pëlqehet nga audienca.
Hyrja pompoze në muzikë do të të bëjë edhe pjesë të diskutimeve e thashethemeve. A ke frikë?
– Këndoj që në fëmijëri. Si këngëtare më njohin zviceranët dhe shqiptarët. Kam marrë pjesë në spektakle dhe sikur jam rritur në skenë dhe në jetën publike.
Pra, jam e imunizuar ndaj këtyre gjërave, madje edhe nga thashethemet.
Na thuaj diç të pathënë?
– Me bekimin e Zotit dhe të bashkuar do e kalojmë edhe këtë pandemi botërore. Stafit tuaj respekt për punën e palodhshme!
Nderim Neziri