Këpucët janë një ndër elementet më të rëndësishme të veshjes. Ato jo vetëm që na bëjnë të ndihemi më mirë, por tregojnë edhe statusin, si edhe mirëqenien tonë.
Gjatë jetës mund të kemi parë shumë këpucë të kushtueshme, por e keni menduar ndonjëherë se si duken këpucët më të shtrenjta të botë? Nëse jo, ua prezantojmë ne.
Këpucët “Marilyn Monroe” – 1 milion dollarë
Lista fillon me këpucët Marilyn Monroe, të krijuara nga Stuart Weitzman. Modeli i takës së tyre tashmë është kthyer në trend në tapetin e kuq. Gjithsesi, pavarësisht emrit, këpucët në fjalë nuk janë veshur kurrë nga ikona, Monroe. Ato e kanë marrë emrin nga kristalet e Swarovski-t në qendër të tyre, të cilat kanë qenë në pronësi të saj.
Këpucët Rita Hayworth – 3 milion dollarë
Këpucët në fjalë janë në pronësi të vajzës së Rita Hayworth, princeshës Yasmin Aga Khan dhe janë këpucët më të shtrenjta që ka krijuar ndonjëherë Stuart Weitzman. Të zbukuruara me diamante, rubinë, safir, kombinuar me saten dhe gurë të tjerë të çmuar, këto këpucë janë shembulli perfekt i luksit.
Papuçet e rubinit- 3.1 milion dollarë
Këto papuçe janë disenjuar nga Harry Winston në nder të “Magjistarit të OZ-it”. Ato janë të zbukuruara me 4600 rubinë dhe 50 diamante. Çmimi i tyre shkon në 3.1 milionë dollarë dhe besojmë se është e kuptueshme pse.
Këpucët Debbie Wingham- 15.1 milionë dollarë
Këpucët në fjalë janë porositur nga një familje në Dubai, si dhuratë për ditëlindje. Takat e tyre janë të zbukuruara me gurë të çmuar, mes të cilëve dhe diamante blu dhe rozë, të cilët më vete kushtojnë 128 mijë dollarë. Nga ana tjetër, këpucët mbyllen me zinxhirë floriri dhe janë të mbuluara nga një bojë e bërë me ar 24-karatësh.
Këpucët Pasioni i diamanteve- 23.6 milionë dollarë
Këpucët Pasioni i diamanteve janë krijuar nga një kompani këpucësh me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, në bashkëpunim me Passion Jewelers. Këpucët e arta janë të mbuluara me qindra diamante të rrallë dhe deri më tani janë përdorur thjesht për t’u ekspozuar.
Tani që u njohët me këpucët më të kushtueshme në botë, nëse do të kishit mundësi të blinit një palë prej tyre cilat do të zgjidhnit?