Festat e fundvitit sivjet do të festohen më ndryshe se në vitet paraprake. Në disa prej qyteteve të Kosovës, qytetarët nuk do të kenë mundësi të shohin drita e dekorime. Paratë që deri sivjet shpenzoheshin për këtë qëllim, kryetarët e disa prej komunave kanë vendosur t’i ndajnë për punë tjera.
Kanë mbetur një muaj e gjysmë deri në përfundim të vitit 2020. E dekorimet të cilat ngjallin atmosferën festive të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të motmoteve sivjet nuk do të shihen në disa prej qyteteve të Kosovës.
Komunat kanë vendosur që paratë që ishin planifikuar për dekorim të qytetit t’i destinojnë për qytetarët në nevojë, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19.
Gjilani sivjet nuk do t’i ndezë dritat për të shënuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka deklaruar për Express se paratë e planifikuara për dekorim të qytetit do t’u shpërndahen familjeve në nevojë.
“Jo nuk do e dekorojmë sivjet për shkak të pandemisë, shpenzimet që janë planifikuar do t’i dërgojmë në familjet që kanë nevojë, kryesisht raste sociale që mbikëqyren përmes DSHMS-së”, ka deklaruar Ismajli.
As Podujeva nuk do të dekorohet për festat e fundvitit. Këtë e ka thënë për Express ushtruesi i detyrës së kryetarit në këtë komunë, Nexhmi Rudari.
“Kemi vendosur që këtë vit mos ta dekorojë qytetin për shkak të gjendjes me pandeminë covid-19 dhe mjete e parapara do t’i shfrytëzojmë për ndihmë qytetarëve në nevojë”, ka thënë Rudari.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar para disa ditësh se sivjet nuk do të dekorohet qyteti që ai udhëheq.
“Marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, gjendjen ekonomike në vend dhe prioritetin tonë që përkrahjen me pako ushqimore e higjienike për familjet në nevojë të vazhdojmë sipas kërkesave dhe nevojave në teren, kam vendosur që këtë vit për festat e fundvitit të mos dekorojmë̈ sheshin “Adem Jashari” dhe qytetin tonë në përgjithësi”, ka deklaruar Jashari.
Komuna e Prishtinës ende nuk ka vendosur a do ta dekorojë apo jo qytetin për festat e fundvitit 2020.
Kryetari Shpend Ahmeti për këtë çështje ka kërkuar ndihmën e qytetarëve. Ai ka publikuar një lloj ankete, ku ka kërkuar nga qytetarët të shprehin mendimin e tyre se a duhet të dekorohet Prishtina këtë vit apo jo.
Deri më tani, mbi 4 mijë qytetarë janë përgjigjur se kryeqyteti duhet të dekorohet, ndërkaq mbi 2 mijë të tjerë mendojnë se sivjet nuk duhet të dekorohet Prishtina, për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19.
Por ka komuna tjera të cilat tashmë kanë marrë vendimin që të dekorojnë qytetin.
I pari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar për Express se tashmë është hapur tenderi për dekorim të qytetit.
“Po, e kemi hapur tenderin para disa jave dhe patjetër se do ta dekorojmë”, ka thënë Gjini.
Edhe qytetarët e Pejës sivjet do të shijojnë festat e fundvitit nën ndriçimin e dritave dekorative.
Madje kjo sipas kryetarit Gazmend Muhaxheri po bëhet edhe për shkak të kritikave që Peja nuk është dekoruar gjatë viteve të fundit.
“Besoj që po, mjetet janë të ndara. 20 ose 30 mijë, se kemi pasur kritika të shumta që s’po e dekorojmë qytetin”, ka deklaruar Muhaxheri për Express.
Edhe Drenasi do të dekorohet për festat e fundvitit. Zëdhënësi i komunës, Bekim Dobra, ka thënë për Express se do të shpenzohet një shumë simbpolike.
“Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë fundvit do të bëhet dekorimi i qytetit për festat e fundvitit. Komuna e Drenasit zakonisht shpenzon shumë simbolike për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit”, ka thënë Dobra.
Dobra tha se komuna ka kontratë kornizë për dekorimin e festave dhe kjo nuk mund të përdoret për qëllime tjera.
“Vitin e kaluar janë shpenzuar vetëm 1611 euro, ndërsa edhe këtë vit Komuna e Drenasit planifikon të shpenzojë shumë të ngjashme me atë të vitit të kaluar. Komuna e Drenasit për dekorimin e festave ka kontrate kornizë, përkatësisht kontratë tri vjeçare dhe këto mjete nuk mund të përdoren për qëllime tjera”, ka deklaruar Dobra.
Prizreni, Ferizaj e Vushtrria janë qytetet tjera që do të sjellin atmosferë festive për qytetarët e tyre. Këto komuna tashmë kanë ndarë edhe mjetet e nevojshme për dekorimin e qytetit.
Komuna e Prizrenit ka ndarë 30 mijë euro, e Vushtrrisë 11 mijë, ndërsa ajo e Ferizajt 9 mijë e 500 euro.