Hemorroidet shkaktohen nga rritja e vëllimit të gjakut dhe shtypja që ushtron mitra në venat e zorrës së trashë. Venat mund të zmadhohen, duke marrë formën e qeseve të forta dhe të fryra,
poshtë membranave të mukozës, brenda ose jashtë zorrës së trashë. Ato mund të shfaqen për herë të parë gjatë shtatzënisë dhe më pas edhe mund të përkeqësohen. Edhe kapsllëku mund të jetë një nga shkaktarët e shfaqjes së hemorroideve, sepse sforcimi mund të rrisë venat e zorrës së trashë. Kapsllëku është diçka e zakonshme gjatë kësaj periudhe, veçanërisht gjatë muajve të fundit, kur mitra shtyp zorrën e trashë. Hemorroidet mund të shoqërohen me dhimbje, kruajtje ose djegie, veçanërisht gjatë ose pas lëvizjes së zorrëve. Zakonisht, hemorroidet qetësohen ose zhduken pas lindjes së foshnjës.
Parandalimi dhe kujdesi: mënyra më e mirë për të ndaluar shfaqjen e hemorroideve është të shmangni kapsllëkun. Për më shumë, ndiqni këshillat e mëposhtme.
Konsumoni ushqime të pasura me fibra, si fruta, perime, dhe pini sa më shumë lëngje.
Bëni rregullisht ushtrime.
Vendosni këmbët mbi një stol për të pakësuar sforcimin dhe mundohuni të mos qëndroni të ulura në tualet për periudha të gjata kohe.
Kushtojini rëndësi higjienës rreth anusit. Mund të përdorni paketimet e garzave me qetësues për të lehtësuar dhimbjen ose kruajtjen. Këto Garza mund t’i vendosni në frigorifer, sepse kështu ju qetësojnë më shumë.
Futuni në një vaskë apo enë me ujë të ngrohtë. Shtoni miell tërshëre ose sodë buke për të luftuar kruajtjen.
Mos qëndroni ulur për periudha të gjata kohe, veçanërisht në karrige të forta.
Kujdesi mjekësor: këshillohuni me mjekun për t’i mbajtur nën kontroll hemorroidet gjatë shtatzënisë. Në rast se masat që keni marrë vetë nuk janë të frytshme, mjeku mund t’ju rekomandojë një krem ose pomadë që i tkurr ato.